Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij irlandez, Leo Varadkar, Kurti tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe rrugëtimin evropian.
“Ne dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior. Kjo është e rendësishme për paqen, sigurinë dhe rrugëtimin evropian. Për integrimin në familjen e madhe evropiane që paraqet edhe fatin tonë edhe synimin”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë u shpreh se 8 nga 11 nenet e Marrëveshjes bazë dhe Aneksit të zbatimit, janë shkelur nga Serbia.
Lidhur me këtë ai ka kërkuar siguri ligjore jo vetëm për zbatim të marrëveshjes, por edhe për respektim dhe mosshkelje të saj.
“Më 27 shkurt [2023] jemi dakorduar për Marrëveshjen bazike. Me 18 mars [2023] për Aneksin e zbatimit. Nga 11 nenet e marrëveshjes, së paku 8 janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim të marrëveshjes, por edhe për respektim dhe mosshkelje të saj. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nënshkrim”, u shpreh më tej ai.
Kurti më tej theksoi sërish se Kosova insiston në nënshkrimin e marrëveshjes dhe kërkon nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj shkeljeve nga ana e Serbisë.
“Normalizimi duhet të jetë normal, andaj insistojmë të ketë nënshkrim. Ne insistojmë në nënshkrim të marrëveshjes dhe kërkojmë nga Bashkimi Evropian që si një arbitër gjithmonë të reagojë ndaj shkeljeve që fatkeqësisht janë të shumta dhe s’janë të vogla”, tha Kurti.