07/11/2024

Liberalizimi i vizave sërish në agjendën e Brukselit

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian do të diskutojë sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS. Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Që nga diskutimi i fundit në grupin punues të BE-së ka pasur disa konsultime bilaterale mes shteteve anëtare. Disa prej tyre kanë pasur biseda edhe me autoritetet e Kosovës.

Burimet brenda BE-së rikujtojnë se në këtë nivel të grupit punues përafrohen qëndrimet mes vendeve anëtare, por nuk miratohen vendime.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë, kundërshtimet më të mëdha mes vendeve anëtare kanë të bëjnë me lidhjen e liberalizimit të vizave për Kosovën me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.

Shumë shtete, përfshirë Gjermaninë, janë kundër këtij kushtëzimi, duke e cilësuar jo vetëm si të padrejtë, por edhe të panevojshëm, pasi, sipas tyre, Kosova nuk mund të ketë asnjë ndikim në çështjen e funksionalizimit të këtij sistemi.

Çekia, e cila aktualisht udhëheq presidencën e BE-së, ka shpërndarë javën e kaluar një “dokument ndërinstitucional”, ku është përfshirë edhe kërkesa e Francës, e paraqitur në takimin e parë.

Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi të liberalizimit, të përmbyllë marrëveshjen për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tillë, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.

“Heqja e vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike, të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të ETIAS-it”, është formulimi i ri i tekstit të propozimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Gjithashtu është përforcuar edhe kërkesa ndaj Kosovës për sigurimin e menaxhimit të mirë të migracionit.

Në tekst është shtuar edhe kërkesa që Komisioni Evropian, në monitorimin që do ta bëjë pasi të liberalizohen vizat, të vëzhgojë përshtatjen e Kosovës me regjimin e vizave të BE-së.

“Kosova ka bërë një progres domethënës në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për viza, si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe migrimit, përfshirë edhe azilin, rendin publik dhe sigurinë e të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes. Për të siguruar menaxhim të mirë të migracionit dhe sigurisë, Kosova duhet të synojë përshtatjen më tutje të politikës së saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian”, thuhet në dokument.

Po ashtu, përmendet edhe çështja e ripranimit të qytetarëve kosovarë që potencialisht mund të keqpërdorin liberalizimin e vizave.

Pas diskutimeve të sotme, ku do të shihet gatishmëria e vendeve anëtare, çështja mund të shkojë për diskutim në nivel tjetër në Këshillin e BE-së, eventualisht në atë të ambasadorëve.

Mësohet se disa shtete do të insistojnë që të mos lidhet fare liberalizimi i vizave për Kosovën me ETIAS-in, dhe nëse do të ketë afate kohore, atëherë të përmendet së paku ndonjë datë formale kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave.

Burimet në BE pohojnë se, edhe kur të kalojë vendimi në Këshill, Parlamenti Evropian mund të kërkojë përsëri që teksti të ndryshohet, ose të mos lidhet me sistemin ETIAS, ose të përmendet ndonjë datë e hyrjes në fuqi.

“Gjithsesi, pa një afat kohor transitor prej vendimit e deri te hyrja në fuqi nuk do të mund të ketë vendim. Por, po bëjmë çmos që ai afat kohor të mos jetë i gjatë për kosovarët dhe të mos lidhet me çështje teknike, siç është ETIAS-i”, ka thënë për REL-in një burim diplomatik i BE-së, transmeton Klan Kosova.

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Nga Republika Çeke, e cila mban Presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...