Studimet e fundit kanë dokumentuar se si emocionet kanë ndikim në zemrën fizike. Sot, hulumtimet janë të përmasave aq të gjëra dhe bindëse sa vitin e kaluar, Shoqata Amerikane e Zemrës lëshoi një deklaratë përmes së cilës kërkoi që faktorët psikologjikë të merren parasysh në kujdesin kardiovaskular – gjë që mund të rezultojë me mundësinë e shtrimit të pyetjes nga ana e mjekëve lidhur me depresionin dhe ankthin, krahas matjes së presionit të gjakut dhe niveleve të kolesterolit.
“Çfarë keni në mendjen tuaj ndikon vërtet në zemrën tuaj,” thotë studiuesi dhe kardiologu kryesor Michael Miller, MD, autor i Heal Your Heart dhe drejtor i Qendrës për Kardiologjinë Parandaluese në Sistemin Mjekësor të Universitetit të Maryland. “Zemrat tona kërkojnë shëndet emocional për të ruajtur shëndetin kardiovaskular.”
Dy fusha në zhvillim po hulumtojnë lidhjen mendje-zemër: neurokardiologjia, e cila studion ndërveprimin e tyre neurologjik; dhe kardiologjia e sjelljes, e cila shqyrton se si faktorët psikologjikë dhe socialë çojnë në sëmundje të zemrës. Studiuesit po dokumentojnë gjithnjë e më shumë se truri dhe zemra formojnë një qark të ndërlikuar reagimi që funksionon neurologjikisht, biokimikisht dhe elektromagnetikisht për të optimizuar mirëqenien tonë. Ajo që e dëmton njërën – qofshin ato ushqime që bllokojnë arteriet përmes formimit të pllakave aterosklerotike apo shpërthimet e zemërimit – mund të dëmtojë tjetrin. Ajo që shëron njërën – qoftë ushtrimet apo një disponim i mirë – mund të shërojë tjetrën. Ka një lajm të mirë për këtë, thotë Miller: “Ju mund ta shëroni zemrën tuaj duke u përfshirë në mënyrë aktive në emocione pozitive çdo ditë.”
Zbulimi i rolit të zemrës
Në mjekësinë perëndimore, zemra është nënvlerësuar historikisht si një pompë që merr urdhra në mënyrë mekanike nga një tru i fuqishëm, por kohët e fundit, roli i zemrës është duke u rishqyrtuar: Me 40,000 neurone, ajo dërgon më shumë sinjale në tru sesa merr. Siç thotë kardiologia integruese Mimi Guarneri, autore e The Heart Speaks, “Zemra është një organ shumështresor, kompleks, që zotëron inteligjencë, kujtesë dhe aftësi vendimmarrëse të pavarura nga mendja”.
Fusha elektromagnetike që gjeneron është rreth 100 herë më e fortë se fusha magnetike e trurit dhe mund të zbulohet deri në 1 metër larg trupit, raportojnë studiuesit në Institutin pionier HeartMath, në Boulder Creek, Kaliforni. Ata zbuluan se valët e trurit të një personi mund të sinkronizohen me zemrën e një personi tjetër dhe dy zemra mund të sinkronizohen me njëra-tjetrën, gjë që mund të ndihmojë në shpjegimin se pse njerëzit tërhiqen ose refuzohen nga njëri-tjetri. Kur ritmi i zemrës bëhet i çrregullt gjatë stresit dhe emocioneve negative, raportojnë ata, sinjalet nervore që udhëtojnë në qendrat emocionale të trurit gjithashtu ndërpriten, duke penguar të menduarit dhe arsyetimin e qartë – gjë që mund të ndihmojë në shpjegimin pse marrim vendime të pamatura kur jemi nën stres.
Faktura e shtrenjtë e emocioneve negative
Megjithëse shkencëtarët debatojnë nëse emocionet fillojnë në tru, zemër apo nga ndjesitë fizike diku tjetër në trup, është e qartë përmes teknologjisë së imazhit magnetik se është detyra e trurit të përpunojë dhe rregullojë emocionet nëpërmjet rrjedhës së neurotransmetuesve përmes amigdalës, hipotalamusit, hipokampusit, korteksit parafrontal dhe zonave të tjera të trurit. Emocionet si zemërimi, frika, pikëllimi dhe ankthi shkaktojnë një kaskadë reagimesh që përfshijnë hormonin kortizol dhe proteinat e quajtura citokina, duke krijuar një përgjigje inflamatore e cila, nëse bëhet kronike, mund të nxisin akumulimin e pllakave në arterie që mund të bëhen të paqëndrueshme dhe të shkëputen, duke shkaktuar mpiksje gjaku që çojnë në goditje në tru dhe sulme në zemër.
Duke anketuar 25,000 pjesëmarrës në 52 vende, studimi historik INTERHEART në 2004 arriti në përfundimin se rreth 30 për qind e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru ndodhin për shkak të faktorëve psikologjikë dhe kërkimet e vazhdueshme e mbështesin këtë gjetje.
Depresioni – Të rriturit që janë në depresion kanë dy herë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundje të zemrës. Në një studim, depresioni i moderuar deri në të rëndë katërfishoi shkallën e vdekjes në pacientët me dështim të zemrës.
Ankthi – Studiuesit kanë lidhur ankthin kronik me një rritje prej 48 për qind të rrezikut të vdekjes së lidhur me zemrën gjatë 11 viteve. Gjithashtu është treguar të jetë një faktor rreziku për anginë, sulme në zemër dhe aritmi ventrikulare.
Shoku – Një tronditje e papritur emocionale ose fizike, si një vdekje në familje ose një tërmet, mund të shkaktojë kardiomiopati stresi, të njohur si sindroma e zemrës së thyer, e cila i ngjan një ataku në zemër.
Zemërimi – Një episod zemërimi intensiv – i përshkruar si “tensionim i trupit, shtrëngim i grushtave ose dhëmbëve, gati për të shpërthyer” – rrit 8.5 herë rrezikun e një ataku kardiak brenda dy orëve të ardhshme.
Vetmia – Të qenit i izoluar nga shoqëria dhe i vetmuar lidhet me një rrezik më të lartë për vdekjen kardiovaskulare sesa hipertensioni dhe obeziteti – informacion alarmues pasi më shumë se 60 për qind e amerikanëve raportojnë se ndjehen të vetmuar, të përjashtuar, të keqkuptuar dhe të cilëve u mungon shoqërimi, sipas një sondazhi të vitit 2020.
Forcimi i trurit dhe zemrës
“Nuk ka dëme të shkaktuara nga emocionet negative që emocionet pozitive nuk mund ta shërojnë,” thotë Miller. Një numër i madh kërkimesh kanë treguar se rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare mund të zvogëlohet deri në gjysmë me optimizëm, sens humori, falje, mbështetje sociale, besim fetar, vitalitet, mirënjohje, sjellje altruiste, fleksibilitet emocional dhe fleksibilitet përballues. Njerëzit që janë optimistë kanë më pak gjasa të ri-spitalohen ose të vdesin nga sëmundjet e zemrës, raportojnë studiuesit finlandezë.
“Për një shëndet optimal, maksimizoni shëndetin e trurit dhe të zemrës. Për shembull, nëse hani mirë dhe ushtroni, por jeni ende të stresuar, zemra juaj do të vuajë. Në të kundërtën, nëse nuk jeni të stresuar, por hani tepër dhe nuk ushtroni, është truri juaj ai që do të vuajë”, thotë Miller.
Dr. Jeton Zenuni