Platforma “Liria ka Emër” ka organizuar një marsh simbolik me motoçikleta drejt Hagës, në shenjë mbështetjeje për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët prej disa vitesh po përballen me një proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, tha se ky marsh nuk ka për qëllim të ndërhyjë në drejtësi, por është një thirrje publike për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Ai tha se marshi do të nis nga Prekazi, Pokleku, duke kaluar nëpër vende të rëndësishme historike të luftës së fundit në Kosovë si Gllogjani, Kosharja dhe Meja – ku ndodhi një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës – për të vazhduar më tej drejt Landovicës, Morinës dhe më pas përmes Ankonës e Cyrihut, drejt destinacionit përfundimtar në Hagë.
“Uroj të shkoj, ne do të bëjmë një thirrje për drejtësi dhe që sa më të kryhet procesi. Nuk duam të ndikojmë në drejtësi, por vetëm gjithçka të shkoj drejtë. Rrugëtimi ynë do të fillojë nga këtu, në Poklek, në Gllogjan, Koshare, në Mejë dihet masakra e madhe që është bërë atje….dhe nga aty do të ndalojmë në Landovicë dhe aty do të kthehet rruga për në Morinë, nga atje e kemi tragetin për në Ankona në Cyrih, aty do të mblidhen motoristët shqiptarë që vijnë nga Italia, Gjermania, Austria,kanë thënë dhe një pjesë nga Kroacia pasi varet gjendja teknike e motorëve…”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ai bëri të ditur se në Cyrih do t’u bashkohen edhe motoristë shqiptarë nga Italia, Gjermania, Austria dhe Kroacia, varësisht nga gjendja teknike e motoçikletave të tyre.
“Nga Cyrih do të shkojmë në Duseldorf, nga aty në Hagë dhe pastaj në Bruksel dhe anasjelltas”, ka thënë Haradinaj.