Vizita e parë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shqipëri, ka zënë hapësirë të veçantë në mediat ndërkombëtare.
Pas arritjes së tij në Tiranë, media të shumta nga e mbarë bota kanë raportuar për samitin për Ukrainën që po mbahet në kryeqytetin shqiptar, transmeton Telegrafi.
Reuters shkruan se “Zelensky arrin në Shqipëri për samitin e Evropës Juglindore”, ku në këtë artikull është theksuar se Kievi po kërkon mbështetjen ndërkombëtare për planin e paqes të Zelenskyt, derisa Rusia është future në vitin e tretë të pushtimit në Ukrainë.
The Guardian raporton se presidenti ukrainas gjatë qëndrimit në Tiranë, do të mbajë takime të dypalëshe me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq Daily Mail shkruan se kjo është vizita e parë e Zelenskyt në një vend të Ballkanit, që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. /Telegrafi/