Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës bëri të ditur se mësimdhënësit janë gati të fillojnë punën e tyre nga 1 shtatori, mirëpo, fajin e kanë hedhur te Ministria e Arsimit për mosshpërndarje me kohë të teksteve shkollore në komuna të vendit.
Kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse tekstet do silleshin me kohë, çdo gjë do të ishte gati për të filluar vitin shkollor, porse sipas tij, Ministria e Arsimit është vonuar në këtë drejtim.
Sipas tij, arsimi në shekullin XXI, nuk mund të jetë i suksesshëm nëse punohet me mjete dhe kushtet e shekullit të kaluar.
Duke renditur shqetësimet e njëpasnjëshme, Jasharaj thotë se ka informacione se disa nga mësimdhënësit po kërkojnë pushime njëvjeçare për të shkuar jashtë vendit për një punë më të mirë, për të cilën shprehet i brengosur se të njëjtit nuk do të kthehen më.
Mes tjerash, Jasharaj shton se qeveria duhet të jetë e lumtur që këtë vit, mësimi po fillon me kohë dhe nuk do të ketë grevë.
“Ajo që është e mirë dhe se është dashur të gëzohet edhe ministria, është se SBASHK-u kësaj radhe nuk po shkon me grevë. Por, duke i parë gjërat që u thanë, del se ky vit shkollor do të filloj me vështirësi, ngase edhe përkundër premtimit të ministres Nagavci, tekstet shkollore nuk kanë arritur ende në shkolla, dhe dita e parë do të jetë problematike, sepse e vetmja armë e diturisë në shkollat tona fatkeqësisht në mungesë të mjeteve bashkëkohore janë tekstet shkollore, shpuza dhe shkumësat…
Nuk është krenari të thuhet se viti shkollor është përgatitur, nëse njerëzit mundojnë se kemi siguruar shkumësa mjaft dhe shpuza, dhe gjysmën e teksteve të reja e gjysmën të vjetra, që fatkeqësisht ende nuk kanë ardhë në shkolla… Shteti nuk guxon të kursej në arsim, e së paku jo të bëhet aq i kujdesshëm, që të mos ua përgatis edhe fëmijëve gjashtë deri në nëntë librat e reja”, deklaroi Jasharaj.
Ai po ashtu ka adresuar edhe disa ankesa karshi Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, kjo ministri po nxjerr vendime e udhëzime pa u konsultuar me sindikatën dhe prindërit.
“Aq më keq ministrja Nagavci po nxjerr vendime e udhëzime pa u konsultuar me prindërit dhe SBASHK-un…Nuk janë konsultuar as lidhur me tekstet shkollore, dhe fatkeqësisht nxënësit nga klasa një deri në pesë, do të jenë pak më të lumtur, sepse tekstet do të shkojnë më të reja, ndërsa do të jenë shumë të pikëlluar nxënësit e tjerë, sepse do të kenë vështirësi të mëdha të mësojnë me librat që janë përdorur viteve të kaluara…
Po ashtu, me udhëzimin administrativ ministrja Nagavci për të treguar se është shumë e saktë, e thotë se do të fillojë më 1 shtator që i bie e premte, dhe zakonisht herëve të tjera kur ka qenë situatë e tillë, për të qenë java e plotë e aktiviteteve, mësimi ka filluar të hënave, në mënyrë që të zhvillohen aktivitete tërë javën”, vijon Jasharaj.