Në një moment kur kriza politike në Kosovë po thellohet dhe partitë politike dështojnë të krijojnë institucione funksionale pas zgjedhjeve, vëmendjen e opinionit e ka tërhequr heshtja dhe mungesa e angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh të Kosovës, në këtë proces.
Analisti politik Ylli Hoxha ka ngritur shqetësimin se, ndryshe nga e kaluara kur Ambasada Amerikane ka qenë ndër zërat e parë dhe më të fuqishëm në momente të ndërlikuara politike, tani ajo pothuajse nuk po reagon fare.
“Nuk është që nuk po përzihet faktori ndërkombëtar. Por kemi një faktor ndërkombëtar që nuk po përzihet hiq, edhe pse është më i rëndësishmi”, tha Hoxha në emisionin Debat Plus, duke përmendur se ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe Turqisë kanë qenë aktivë me deklarata dhe takime, ndryshe nga përfaqësuesit amerikanë.
Ai theksoi se që prej pesë muajsh Ambasada Amerikane në Kosovë nuk ka një ambasador të emëruar dhe aktivitetet janë kryesisht të zëvendësshefes, e cila ka munguar në deklarime të qarta për krizën politike aktuale.
Hoxha nuk e përjashton mundësinë që kjo të jetë pasojë e një ndryshimi strategjik në qasjen amerikane ndaj Kosovës, mungesës së vëmendjes nga Uashingtoni, apo një sinjali pakënaqësie me zhvillimet e brendshme.
Në të njëjtin emision, analisti Astrit Gashi zbuloi informacione konfidenciale që flasin për një marrëveshje të mundshme politike që mund të shpërfaqet brenda javës së ardhshme.
Ai përmendi mundësinë e formimit të një qeverie të përkohshme që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit dhe do të çonte vendin në zgjedhje të reja, por gjithashtu ngriti shqetësimin për heshtjen e SHBA-së karshi Vetëvendosjes, partisë fituese të zgjedhjeve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me faktin që po rrinë të heshtur, të paktën nuk po ia ndihmojnë fituesit”, tha Gashi, duke lënë të kuptohet se në sfond mund të ketë një prapavijë diplomatike që nuk është e qartë për publikun.
Ndërkohë, ish-deputeti Visar Ymeri ka ofruar një interpretim më të drejtpërdrejtë të kësaj situate, duke e lidhur tërheqjen e ndërkombëtarëve me raportet e tensionuara që Vetëvendosje ka pasur me ta gjatë viteve të fundit.
Sipas Ymerit, Kurti ka krijuar distancë me partnerët strategjikë dhe tani nuk po arrin të sigurojë përkrahjen që do të ishte e nevojshme për të tejkaluar ngërçin institucional.
“Ne kemi refuzuar rekomandimet e tyre dhe kemi krijuar imazhin e një qeverie që nuk bashkëpunon. Tash Kurti po i thërret ndërkombëtarët”, tha ai, duke shtuar se mungesa e një qeverie tre muaj pas zgjedhjeve tregon jo vetëm për krizë të numrave, por për një krizë më të thellë të besimit ndërkombëtar./Telegrafi/