25/06/2024

Mungon qendra për djegie, mbingarkohet Kirurgjia Plastike në QKUK

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Në dhomat e Klinikës së Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë të shtrirë disa pacientë me nivele të ndryshme të djegieve.

Për më shumë se një muaj, aty gjendet edhe S.I., i djegur pothuajse në të gjitha pjesët e trupit, e më shumë në fytyrë dhe kokë.

“Jam djegur nga një gjenerator, por kam shpëtuar këtë herë”, thotë ai.

Duke folur mezi, si pasojë e djegieve edhe në buzë, S.I. thotë se shërimi po i shkon ngadalë, për shkak të kushteve, siç i përshkruan ai, jo të mira në klinikë.

Me trupin mbi 50 për qind të djegur, në një shtrat tjetër është i shtrirë Agimi, 34 vjeç.

Ka më shumë se dy javë që nuk ka lëvizur fare, përveç në rastet kur i është dashur të futet në sallë të operacionit, për intervenime të ndryshme.

“Një shok i imi ma ka dhuruar lëkurën për shumë pjesë në trup, për duar, për këmbë, e disa pjesë të tjera”, rrëfen me vështirësi Agimi, i djegur nga shpërthimi i një bombole gazi.

Në Kosovë nuk ka ndonjë qendër të veçantë apo të specializuar për djegie. Rastet e tilla trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike të QKUK-së, por shpesh edhe jashtë vendit.

Edhe pse është e thirrur për të trajtuar raste të tumoreve të lëkurës dhe indeve të buta, patologji të shuplakave e të ngjashme, Klinika e Kirurgjisë Plastike trajton më së shumti raste të djegieve dhe pasoja të tyre, thonë mjekët në këtë institucion.

Sipas tyre, aty pranohen së paku 2-3 raste në muaj me djegie mbi 50 për qind.

Violeta Zatriqi, drejtoreshë e Kirurgjisë Plastike, thotë se një qendër e specializuar për djegie, është bërë domosdoshmëri.

Ajo thotë se rastet e rënda referohen jashtë vendit dhe se “kostoja për trajtimin e tyre është e madhe – mbi 100 mijë euro”.

“Do të thotë, është kosto që i kushton buxhetit të shtetit, por edhe buxhetit të pacientit”, thotë Zatriqi për Radion Evropa e Lirë.

Në klinikën që udhëheq ajo, punojnë 13 kirurgë plastikë, të cilët merren edhe me raste të djegieve.

Për shkak të përqendrimit të tyre te pacientët e djegur, Zatriqi thotë se ndodh shpesh që rastet e tjera, më pak urgjente, të trajtohen me vonesë.

“Qe disa javë nuk mund të kryhet asnjë operacion tjetër, sepse duhet t’u japim prioritet djegieve”, thotë ajo.Qendër të djegieve nuk kanë as disa shtete fqinje të Kosovës, si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.Sipas përllogaritjeve të Zatriqit, ndërtimi i një të tille në Kosovë do të kushtonte 6 deri në 7 milionë euro dhe do të shërbente edhe për pacientë të vendeve afër.

 

 

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...