Të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e siguroi REL.
Ky propozim, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Disa burime në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore evropiane e konfirmuan vërtetësinë e propozimit.
Edhe pse gjatë periudhës së kaluar, në media u publikuan disa versione, aktorët kryesorë në Bruksel, Prishtinë apo Beograd nuk e konfirmuan asnjëherë autenticitetin e tyre, ndonëse pranuan se ekziston një plan.
Javën e kaluar, në margjinat e një samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kanë marrë versionin e përditësuar të planit.
Burimet e REL-it thonë se, edhe pse versioni i ri ka ndryshime, ato nuk janë thelbësore dhe se elementet kryesore për marrëveshjen bazë, mbeten të njëjta.






