26/07/2024

NËNAT, ADOLESHENTËT DHE SHËNDETI MENDOR

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Lidhjet biologjike dhe psikologjike që lidhin nënën dhe fëmijët janë thelbësore për zhvillimin fizik dhe emocional të fëmijës.

Sipas Aleancës Kombëtare për Sëmundjet Mendore, 20 % e të rriturve në SHBA dhe 17 % e fëmijëve të moshës 5 – 17 vjec janë duke përjetuar crregullime të shëndetit mendor. Më të përhapurat mes prindërve dhe fëmijëve janë depresioni dhe ankthi.

Në vitet 2016-2018 është bërë një studim në Amerikë rreth ndërlidhjes së Shëndetit Mendor të prindërve/kujdestarëve me fëmijët e tyre. Dhe ka rezultuar që 7.2 përqind e fëmijëve kishin njërin kujdestar me shëndet të dobët mendor. 2.8 % kishte shëndet të dobët mendor kujdestari mashkull dhe 5.1 % kujdestarja grua. Gjendja e këtyre prindërve normalisht që ka afektuar edhe shëndetin mendor të fëmijëve, por kjo nuk do të thotë se është me patjetër të ketë efekte tek fëmijët. Sepse nëse prindi fillon të trajtohet dhe e tejkalon gjendjen nëpër të cilën po kalon, qoftë ankth apo depression, atëherë ndikimi tek fëmija do të ulet.

Cfarë është shëndeti mendor?

Shëndeti mendor përfshin anën tonë emocionale, psikologjike dhe sociale. Ndikon në atë se si ne mendojmë, ndihemi dhe veprojmë. Ndikon në ballafaqimin tonë me stresorët e jashtëm, bashkëveprimin me tjerët dhe marrjen e vendimeve.

Shëndeti mendor është i rëndësishëm në të gjitha fazat e jetës, nga fëmijëria, adoleshenca dhe mosha e rritur.

Të menduarit është zakonisht baza e çdo problemi psikologjik, mandej këto mendime të papërshtatshme fillojnë të shkaktojnë ndjeshmëri të pakëndshme, pasiguri, molisje, ankth etj. Kur ne ndihemi jo mirë, këto ndjeshmëri fillojmë i shoqërojmë me sjellje të cilat pengojnë jetën tonë të përditshme, siç mund të jetë, frika e madhe se mund të vdesim, apo plogështia e cila na lë shtrirë gjithë kohës. Zakonisht njerëzit i drejtohen psikologut kur janë në fazën e fundit, gjë e cila nuk është mirë të ndodhë, sepse procesi i tejkalimit të gjendjes vështirësohet. Andaj kërkimi i ndihmës psikologjike është shumë më mirë të bëhet në momentin e duhur, sepse rezultati është më i shpejtë dhe më pak i vështirë për t’u arritur.

Shumë faktor ndikojnë në shëndetin mendor të gruas, duke filluar nga fëmijëria dhe përjetimet e jetës.

Gjithashtu edhe shprehitë ndikojnë shumë tek jeta e përditshme e gruas.

Nëse ndonjëherë keni tentuar të ndyshoni një shprehi jo të mirë, me siguri e keni vërejtur se nuk është i lehtë mënjanimi i tyre, sepse janë të rrënjosura thellë brenda jush.

Prandaj, ia vlen për mirëqenien e shëndetit tonë mendor të provojmë të rrënjosim shprehi të mira tek vetja.

Shprehi ditore, të cilat mund të ndikojnë në mirëqenien e shëndetit mendor të gruas/nënës:

Buzëqeshja:

Ne zakonisht qeshim kur jemi të gëzuar, por ka raste kur ne ndjejmë gëzim për faktin që ne vetëm qeshim. Sepse kur ne buzëqeshim ngritet niveli I dopaminës, e cila njihet si hormoni i lumturisë dhe në këtë mënyrë ne ndjehemi mirë dhe me disponim të ngritur për shkakë se ne e kemi ngritur nivelin e dopaminës me buzëqeshjen tonë. Kjo nuk do të thotë se duhet të buzëqeshësh vazhdimisht fallso, por në ditët që e vëren veten se ke disponim të ulët, atëherë përdore këtë teknik dhe e vëren ndryshimin.

Ushtrimet fizike:

Ushtrimet fizike, nuk janë të dobishme vetëm për trupin tuaj në aspektin fizik, por ndikojnë shumë në uljen e nivelit të stresit, zbutjen e simptomave të ankthit dhe të depresionit, rrisin vetvlerësimin dhe ngrisin nivelin e dopaminës.

Me ushtrime fizike, nuk nënkuptohet se duhet të bëni gjithsesi ushtrime profesionale me trajner në fitness, por mund të jenë edhe ushtrime të thjeshta që mund të realizohen brenda shtëpise.

Mos I filloni ushtrimet fizike menjëherë me nivel të lartë, por shkoni duke e rritur nivelin e tyre shumë gradualisht. Sepse nëse filloni me intenstitet të lartë, atëherë mund të lodheni shumë fizikisht, po ashtu mund të ndiheni të frustruar.

Ushtrim fizik është edhe ecja në natyrë mëngjeseve ose mbrëmjeve. Por që gjithmonë duhet të realizohet në të njëjtën kohë, në të kundërtën ka shumë gjasa të anashkalohet.

Gjumi:

Të rriturit kryesisht kanë nevojë për 7 orë gjumë gjatë natës. Secili njeri arrin t’a vlerësojë për veten e vet se sa ka nevojë për gjumë të natës, apo edhe një pushim të ditës. Gjumi I mjaftueshëm ndikon në funksionimin e trurit, në gjendjen emocionale të individit.

Disa ide se si mund të rregulloni rutinën e gjumit:

  • Flini në të njëjtën kohë cdo natë
  • Provoni që cdo ditë të zgjoheni në kohën e njëjtë, përfshirë edhe fundjavat
  • Shënoni sa orë gjumë keni bërë cdo mëngjes dhe analizojeni veten, se si po ndiheni
  • Për gjumë më të rehatshëm, një orë para gjumit bëni dicka relaksuese për ju (lexoni libër, bëni dush etj).
  • Le të jetë dhoma juaj e gjumit e errët dhe e qetë

Të ushqyerit:

Ushqehuni cdo ditë përafërsisht në të njëjtën kohë dhe duke pasur kujdes që mos të hani ushqime të cilat jeni të vetëdijshëm që dëmtojnë organizmin tuaj

Komplimentoni të tjerët:

Edhe të komplimentuarit e të tjerëve ka ndikimin, përafërsisht sikur buzëqeshja. Sepse kjo në mënyrë të pavetëdijshme ndikon në përmirësimin e gjendjes suaj emocionale

Merrni frymë thellë:

Në momentin që e vëren veten se po përjeton tension emocional, shqetësim të nivelit të lartë atëherë mund të përdorni këto metoda për t’a tejkaluar:

  • Ushtrimet e frymëmarrjes – Tërhiqeni frymën me hund (goja mbahet e mbyllur) derisa organizmi nuk pranon frymë, mandej e nxjerrni me gojë.
  • Mbyllni sytë dhe provoni të imagjinoni një ambient të këndshëm që ju bënë të ndiheni mirë
  • Vazhdoni me të dyja teknikat në të njëjtën kohë dhe vazhdoni derisa filloni të ndjeheni më e qetë.

Pranoj momentet jo të mira të jetës:

Secili njeri ka edhe momente jo të mira në jetë, prandaj në momentin që merrni një lajm jo të mirë, apo cfarëdo situate jo e mirë që ndodhë në jetën tënde pranoje para vetes dhe mos u mundo t’a tejkalosh duke tentuar të mos përjetosh asgjë, sepse nëse jo tash reaksionet e kësaj situate do të shfaqen më vonë, në formë ndoshta edhe më të rëndë. Gjithashtu mos provo të buzëqeshësh nëse je shumë keq brenda vetes, lejoje veten tënde të shfaqë atë ndjeshmëri.

Mbaj shënime ose ditar:

Mbajtja e një ditari të ndihmon të organizosh mendimet e tua, të analizosh ndjeshmëritë e tua dhe të arrish të bësh plane më lehtë për jetën.

Ballafaqohu me stresorët:

Kurdo që përjeton dicka që të shkakton stres, mos u mundo t’a anashkalosh sikur nuk ka ndodhur, përjetoje. Analizoje cka e ka shkaktuar atë situatë stresuese, si ju ka bërë të ndiheni dhe kujtojeni që askush nuk është i mbrotjur 100 % nga stresi.

Mos e krahaso veten dhe fëmijët e tu me të tjerët:

Të krahasuarit e vetes me të tjerët është një faktor që ndikon shumë në disponimin tuaj. E njëjta vlen edhe me të krahasuarit e fëmijëve me fëmijët e tjerë. Këta faktor jo vetëm që ndikojnë jo mirë për ty si prind, por kanë ndikim negativ edhe tek fëmijët. Kujtoje që jo të gjithë njerëzit janë të njëjtë, të gjithë në disa pjesë të jetës janë të përmbushur, në disa pjesë të tjera nuk janë, e njëjta vlen edhe per ty.

 Adoleshenca:

Sipas OBSH – së adoleshenca është mosha mes të qenit fëmijë dhe i rritur, që fillon nga mosha 10 – 19 vjec. Është moshë shumë e rëndësishme e zhvillimit të njeriut.

Adoleshentët përjetojnë zhvillim të vrullshëm fizik, emocional dhe psikosocial. Kjo ndikon në mënyrën se si ata ndjehen, mendojnë , marrin vendime dhe se si ndërveprojnë me botën përreth tyre.

Gjatë kësaj faze adoleshentët krijojnë shprehi të jetës, lidhur me të ushqyerit, praktikat fetare, përdorimin e substancave të dëmshme etj. Prandaj, bashkëpunimi i prindërve me fëmijën e tyre adoleshent në këtë fazë është tejet me rëndësi.

Adoleshentët kanë nevojë për informacione të sakta rreth temave të ndryshme, përfshirë edhe temat rreth intimitetit. Duke e pasur parasysh se adoleshentët kanë ndjenja të fuqishme seksuale, në momente të caktuara ata ndjehen fajtor për përjetimet e veta. Prandaj, roli i prindërve në këtë rast ka shumë rëndësi.

Disa mënyra se si të komunikoni me fëmijën tuaj adoleshent (të jeni empatik dhe të kuptueshëm):

Krijimi i një lidhjeje me adoleshentin tuaj është baza për të mbështetur në mënyrë efektive mirëqenien e tyre mendore, të mësuarit social dhe emocional. Ndërsa fëmija juaj rritet, komunikimi është një mënyrë për të treguar dashurinë dhe respektin tuaj për fëmijën tuaj në rritje.

– Krijoni lidhje të shëndoshë me adoleshentin – Tregoni interesim për gjërat që atyre u interesojnë

– Ndaj edhe ti përvojat e tua në lidhje me gjërat që atyre u interesojnë

– Pyetni ata për opinionet, përshtypjet dhe mendimet e tyre për tema të caktuara, kështu që  mund të kuptoni botën e tyre më mirë

– Nëse gjatë fëmijërisë së hershme të fëmijës suaj, keni pasur një komunikim të mirë, atëherë ka shumë gjasa që e njëjta të vazhdojë edhe gjatë adoleshencës

  –  Bëhuni dëgjues aktiv

– Nëse nuk i dëgjojmë ata si duhet, do t’i bëjmë të mendojnë se për ne nuk ka rëndësi si ndihen ata

– Kujdesuni edhe për gjuhën e trupit gjatë komunikimit me ta, bëhuni më atraktiv

– Bëni pyetje gjatë diskutimit

– Parafrazoni atë që fëmija juaj adoleshent e thotë (p.sh “Do të thotë kjo situatë të ka bërë të ndihesh keq”)

– Reagoni pozitivisht kur ai ka besim të ndajë dicka të ndjeshme me ju

Raporti i shëndoshë i adoleshentit me prindin, e mbron atë nga çdo sfidë e shoqërisë

 

PSIKOLOGE:

VLERA BOKSHI UKMATA

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...