22/11/2024

Neziri: Ka bërë shaka përmes rrjetit social, arrestimi i tij është hakmarrje politike-Flet avokati i Vasiljeviqit nga Shtërpca

të fundit...

- Advertisement -spot_img

I riu nga Shtërpca, Danijel Vasiljeviq është arrestuar të dielën nën akuzën se ka kërcënuar dhe ngacmuar kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq dhe vajzën e tij.

Por avokati i Vasiljeviqit, Mentor Neziri në një prononcim për Telegrafin tha se akuza ndaj tij, nuk ka të bëjë aspak me kërcënim apo ngacmim.

Ai tha se ka qenë një fjali në rrjetin social ku është përdorur nga ana e klientit të tij, një satirë apo një shaka që ia ka bërë kryetarit Dalibor Jevtiq.

Sipas tij, Vasiljeviq, të martën ka dhënë një deklaratë në polici në prezencën e tij, dhe se nuk ka të bëjë aspak me ndonjë vepër penale, por siç tha ai këto janë fërkime dhe hakmarrje politike.

“Është arrestuar pasi dyshohet se e ka ngacmuar dhe kërcënuar kryetarin e Shtërpcës dhe vajzën e tij. Dje ka dhënë deklaratë në polici në prezencën time dhe për ato rrethana që është arrestu nuk ka të bëjë absolut me vepër penale. Më shumë këto janë fërkime dhe hakmarrje politike se sa që ka të bëjë me ndonjë vepër penale që e ka kryer ndaj kryetarit të Shtërpcës. Jo këta familjarisht asnjëherë s’kanë pas probleme, por këto janë probleme politike”, ka thënë Neziri.

Avokati Neziri po ashtu tha se ende nuk janë informuar për orën se kur do të mbahet seanca gjyqësore.

Por ai tha se ende nuk e dinë nëse Prokuroria do të kërkojë caktim të paraburgimit për klientin e tij, por siç tha ai sipas të gjitha gjasave do të ketë pasi ka presione politike.

“Përmes rrjeteve sociale, dhe ajo ka qenë një shaka, një satirë ndaj kryetarit të Shtërpcës. S’ka pas asnjë fjalë kërcënuese. Seanca pritet të mbahet sot pasdite, por nuk kemi ndonjë informatë nga prokuroria nëse do të ketë ndonjë kërkesë për caktim të paraburgim, por sipas të gjitha gjasave do të ketë, pasi ka presione politike në këtë drejtim shumë që me ia caktu paraburgimin klientit tim”, ka thënë Neziri.

Ndryshe, edhe babai i të riut, Goran Vasiljeviq për Telegrafin tha se policia e ka arrestuar pa bërë asgjë.

Ai tha se krejt kjo po bëhet pasi familja e tij nuk i takon Listës Serbe.

Ai tha se çdo gjë u bë me një shpejtësi të madhe, edhe kërkesa e prokurorit të rastit për ndalimin e djalit të tij prej 48 orësh.

“Djalin e ka marr policia pa bërë asgjë, është lajmëruar nga kryetari i komunës kinse djali e ka ngacmu, por fare nuk kishte ngacmim përmes Facebook-ut.

Mirëpo, ky është një problem politik, pasi familja ime nuk i takon Listës Serbe… Me shpejtësi të madhe ia kanë bo prokuroria edhe kërkesën për paraburgim”, ka thënë ai.

Tutje Vasiljeviq u shpreh se djali i tij për momentin është në paraburgim dhe se seanca gjyqësore është sot në orën 11:00.

Ai tha se krejt këto po i bën Lista Serbe dhe se kanë pasur dhe probleme të tilla të këtij lloji, por ai tha se të gjitha janë fsheh dhe janë fsheh në prokurori.

“Për momentin është në ndalim 48 orë, seanca gjyqësore pritet të mbahet në orën 11:00 në Shtërpcë. Rastet që i kemi në prokurori, krejt janë fsheh dhe janë mbyll. Lista serbe po i bën krejt këto me kryetarin Dalibor Jevtic”, ka thënë Goran Vasiljeviq.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...