Xherdan Shaqiri është rikthyer protagonist te Kombëtarja e Zvicrës, duke shënuar një gol të jashtëzakonshëm në sfidën ndaj Skocisë.
Përkundër se nuk luajti ndeshjen e parë, Shaqiri ishte titullar në të dytën dhe tregoi klasin e tij, duke i siguruar një pikë zviceranëve që me shumë gjasë do t’i mjaftojë për të kaluar nga Grupi A.
Ylli gjilanas u bë lojtari i parë që shënon në gjashtë gara radhazi të mëdha, tre herë radhazi në Kupën e Botës dhe tre të tjera në Kampionate Evropiane nga viti 2014.
Ai pas ndeshjes është ndalur në ‘Mix Zone’ duke folur për mediat e pranishme, derisa ka thënë se ngjarjet e mëdha janë krijuar për të.
“Ishte një gabim i kundërshtarit që e shfrytëzova maksimalisht. Mendova se thjesht duhet ta gjuaja në këndë. Ishte një goditje perfekte”.
“Është një gol shumë i bukur dhe i rëndësishëm. Ne donim të fitonim. Ngjarjet dhe ndeshjet e mëdha janë krijuar për mua”, tha Shaqiri.
32-vjeçari u pyet edhe për pritshmëritë që ka familja e tij ndaj tij, duke thënë se ata presin që në çdo turne të shënoj gola të tillë.
“Familja ime tani pret që unë të shënoj një gol të tillë në çdo turne. Por unë qëndroj në tokë, dua të ndihmoj skuadrën. Ndaj Skocisë arrita ta bëj këtë”.
“Rekordet dhe statistikat janë të këndshme për t’u parë, shpresoj që ato të mbeten në kujtesën tuaj përgjithmonë. Ishte intensive ndaj Skocisë dhe në fund të ditës ishte një barazim i drejtë”, përfundoi Shaqiri.