Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare bëri të ditur të mërkurën se ka hapur një hetim ndaj Shërbimit Sekret mbi mënyrën se si e ka trajtuar çështjen e sigurisë për ish-presidentin Donald Trump, në ditën e atentatit kundër tij, gjatë një tubimi në Pensilvani.
Në një njoftim të shkurtër, të postuar në faqen e internetit, zyra e Inspektorit tha se po kërkohet të “vlerësohen procedurat e ndërmarra nga Shërbimi Sekret për të garantuar sigurinë gjatë aktivitetit në kuadër të fushatës, të ish-presidentit Trump, më 13 korrik të vitit 2024”.
Agjencia nuk dha asnjë detaj se kur kishte nisur hetimi. Njoftimi ishte mes një listë të gjatë me çështje në vazhdim, që po ndiqen nga zyra e inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Ndërkohë presidenti Joe Biden kishte kërkuar një hetim të pavarur të procedurave për garantimin e sigurisë gjatë tubimit për zotin Trump.
Sulmi me armë ka ngritur shumë pikëpyetje rreth asaj se si personi i dyshuar, 20 vjeçari Thomas Matthew Crooks, kishte arritur të ngjitej në çatinë e një godine që kishte fushëpamje të qartë të vendit ku po fliste ish-presidenti dhe që ndodhej 135 metra larg.
Ish-presidenti u plagos në veshin e djathtë. Një pjesëmarrës në tubim u vra dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.
Crooks u vra nga snajperat e Shërbimit Sekret.