18/05/2024

Nisin punimet në zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc, por protestojnë banorët

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka inaguruar fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc, rrugë e cila, do të lidh kryeqytetin me pjesën perëndimore të Kosovës. Megjithatë, aty dolën për të protestuar edhe banorët e kësaj ane, pasi po mbyllen bizneset e tyre.

Kurti së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, vizituan fillimin e punimeve, ku thanë se kjo rrugë ka gjatësinë 10.9 km me kosto më pak se 21 milionë euro.

Kurti theksoi se pas këtij projekti, do të jetë vazhdimi i rrugës Dollc-Ramunë, për të cilin njoftoi se hapja e procesit për tenderim do të bëhet në muajin maj.

“Po inaugurojmë fillimin e punimeve për tri llote, llotin 2,3 dhe 4 që kanë gjatësinë 10.9 kilometra me një kosto të gjithmbarshme më pak sesa 21 milionë euro. Ndërkaq, për segmentin tjetër pas këtij Kijevë-Dollc, vjen Dollc-Ramunë, i cili do të bëhet hapja e procesit për tenderim në muajin maj, ndërkohë që për llotin e parë, organi shqyrtues i prokurimit, e ka rikthyer me vendimin e vet në ritenderim, ndaj ajo është spostuar ca në kohë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka shtuar se janë duke i kushtuar rëndësi që shpronësimet të kryhen në kohë dhe të mos ketë probleme në shpronësim, por mos të ketë befasi edhe në infrastruktura nëntokësore që pastaj pengojnë realizimin e projektit.

“Në dallim prej projekteve të mëhershme, ajo çka i kemi kushtuar rëndësi projekteve që tani po zhvillohen brenda këtij mandati, po i kushtojmë rëndësi që shpronësimet të gjitha të kryhen në kohë dhe mos të kemi problem në shpronësim, mos të na dalin befasi në infrastruktura nëntokësore me probleme të tjera, të cilët pastaj na krijojnë pengesa në realizim të projektit”, ka shtuar Aliu

Ndërkohë, aty u panë edhe qytetarët e Kijevës të cilët protestuan për fillimin e këtyre punimeve për shkak që mund të mbyllen mbi 60 biznese.

Protestuesi Isuf Mehmetaj ka thënë se në këtë rrugë janë të dy anët të shpronësuara, dhe tani duhet të mbyllen këto biznese.

“Jemi dal në protestë për shkak të devijimit të rrugës. Këta po thonë vetëm zgjerim i rrugës. Tash toka e bukës po humbet. Këtu janë dy anët e rrugës të shpronësuara, të gjitha bizneseve, prandaj kemi dal se ato tash vetëm duhet me i mbyll. Numri i bizneseve është diku 62”, ka thënë Mehmetaj.

Kurti rreth kësaj çështje është shprehur se nuk dëshirojnë të dëmtojnë askënd, mirëpo nuk mund ta lënë këtë rrugë pa e zgjeruar, por do ta diskutoj me ministren e ekonomisë dhe të financave.

“Edhe me ministren e ekonomisë dhe të financave do ta diskutojmë këtë çështje, duke i trajtuar kërkesat e tyre, nuk dëshirojmë të dëmtojmë askënd, mirëpo nuk mund ta lëmë këtë rrugë pa e zgjeruar”, ka thënë Kurti.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...