Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Beqir Hoxha, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale fajde.
Në njoftim thuhet se Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës– Ajser Skenderi, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 22.08.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 22.09.2023, ndaj të pandehurit B.H. (Beqir Hoxha vr. jonë), për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Fajdeja nga neni 331 par. 3 (Vepra penale, rezulton me humbje financiare më shumë se 25.000 Euro, ose nëse kryerësi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon 25.000 Euro, kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet), të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ne vendimi thuhet se “Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
I pandehuri B.H., nga muaji qershor 2016 deri më datë 22.08.2023, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F.S., dhe prindit të tij në atë mënyrë që pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për të investuar në biznesin individual familjar, fillimisht babai i të dëmtuarit, në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri B.H., shumën e të hollave në vlerë prej 6,000 euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore, i dëmtuari F.S., nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6,000 euro vazhdon të paguaj nga 600 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49,200 (dyzet e nëntë mijë e dyqind) euro”.