12/12/2024

OBJEKTIVAT E MARTESËS NË ISLAM

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Allahu martesën e ligjësoi për disa objektiva dhe synime të larta. Ndër to më të dalluarat janë:

1. Ruajtja e sojit njerëzor nëpërmjet lindjes dhe shumimit:

Martesa është rruga e vetme që e ruan sojin njerëzor, e shton atë dhe e vazhdon, deri në Ditën e Kiametit. Allahu thotë: “Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat…” (En-Nahl: 72)

Me të vërtetë martesa është mundësi për ta shtuar sojin e njerëzve të drejtë, i cili krenohet me besimin, me normat dhe me vlerat islame.

2. Ruajtja e nderit të dy bashkëshortëve:

Martesa e ruan njeriun që të mos bjerë në imoralitet, e largon të keqen e epshit dhe gjëmën e tij. Martesa është krahu më i mirë që ndihmon në uljen e shikimit (nga harami) dhe ruajtjen e organit (nga imoraliteti). Për këtë shkak Pejgamberi, alejhi selam, i ftoi të rinjtë që të martohen dhe tha: “O ju të rinj! Kush ka mundësi, le të martohet, sepse martesa e ruan syrin dhe e mbron nderin.”

3. Martesa jep qetësi dhe stabilitet shpirtëror:

Allahu thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Er-Rum: 21)

Jeta shoqërore me grua të ndershme jep rehati, e largon brengën, e largon hallin, e qetëson zemrën, e largon lodhjen, bezdinë dhe pasivitetin. Gruaja është streha e burrit: ai del punon tërë ditën për të sjellë në shtëpi kafshatën e bukës, e pas gjithë lodhjes, mundit dhe punës, në fund kthehet në shtëpi dhe strehohet nën ombrellën e kësaj strehe të sigurt. Prandaj, gruaja e ndershme llogaritet një prej shkaqeve të lumturisë së birit të Ademit. Sad ibn Ebu Vekasi përcjell se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Prej gjërave që i japin lumturi birit të Ademit janë: gruaja e ndershme, shtëpia e mirë dhe mjeti i transportit në gjendje të mirë.”

4. Mbështetja e bashkëshortëve në njëri-tjetrin:

Gruaja vepron në përputhje me natyrën dhe femëroren që i ka të mbjella në shpirt. Ajo i respekton të drejtat e bashkëshortit, kujdeset për shtëpinë dhe edukimin e fëmijëve. Burri angazhohet dhe punon për nevojat e familjes së tij. Me këtë mbështetje në njëri-tjetrin begatohet shtëpia me mirësinë e dashurisë dhe mëshirës, nën hijen e rrugës familjare që e caktoi Islami për të ngritur një shtëpi myslimane.

5. Martesa e shton rriskun:

Allahu thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nur: 32)

Kur dikë godiste fukarallëku, disa prej të parëve tanë të ndershëm e këshillonin të martohej, duke u bazuar në këtë ajet.

Allahu i garantoi përkrahje atij i cili dëshiron ta ruajë nderin e tij me martesë. Ebu Hurejra përcjell se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu e merr përsipër t’i përkrahë tre persona: luftëtarin në rrugë të Allahut, skllavin që dëshiron ta blejë lirinë e tij dhe atë që do martesë për ta ruajtur nderin e tij.”

6. Lindja e fëmijës së ndershëm i cili do të lutet për prindërit e vet:

Ebu Hurejra përcjell se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tri gjërave: lëmoshës së vazhdueshme, dijes nga e cila përfitohet pas tij dhe fëmijës të mirë që lutet për të.”

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri “NË PRAG TË MARTESËS” (Libri është i përkthyer në shqip)

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...