Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Washington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, Osmani do të jetë në Uashington për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.
Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
Gjatë qëndrimit në Washington D.C., presidentja Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë.
Samiti i NATO-s në Washington D.C., shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.