Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, njoftoi këtë të mërkurë dorëzimin në Kuvend të kërkesës për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Bardhi akuzoi kreun e shtetit për “shkelje të rënda dhe të vazhdueshme të Kushtetutës”, duke bërë me dije se kërkesa mbështetet në një material voluminoz ku dokumentohen 7 shkelje të rëndësishme të Kushtetutës, që sipas opozitës cënojnë rëndë rendin kushtetues.
“Kërkesa është argumentuar në detaje dhe ne jemi të bindur se Presidenti Begaj nuk mund të vazhdojë më të mbajë këtë detyrë ‘de jure’”, deklaroi Bardhi pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh kategorikisht kundër kësaj iniciative, duke e konsideruar atë një tentativë të dështuara për të nxjerrë jashtë funksionit Presidentin. Balla tha se Presidenti Bajram Begaj nuk ka kryer asnjë shkelje dhe kërkesa për shkarkim do të rrëzohet nga Kuvendi.
“Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet, madje nuk do të ngrihet. Në vlerësimin tim, presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje. Po ashtu më është thënë se PD ka bërë edhe një kërkesë të ngjashme për shkarkimin e zotit Pëllumb Pilinci, që do të rrëzohet po ashtu,” tha Balla për mediat.