Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot dy padi në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në Rregulloren e Kuvendit si dhe për shfuqizimin e dekretimit të ministres virtuale për Inteligjencën Atificiale, Diella.
Konkretisht PD kërkon shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të ndryshimeve të njëanshme të mazhorancës në Rregulloren e Kuvendit për shtimin e komisioneve parlamentare. Gjithashtu, kërkohet pezullimi i vendimit deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese
Sipas PD-së, ndryshimet e njënanshme në rregulloren e Kuvendit “cenojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi reflekton një ndërhyrje flagrante të pushtetit ekzekutiv (kryeministrit) në kompetencën kushtetuese të pushtetit legjislativ (Parlamentit) për vetërregullimin e mënyrës së organizimit dhe funksionimit të tij.
Gjithashtu në kërkesë-padi thuhet se ndryshimet janë “shqyrtuar dhe miratuar gjatë një mbledhje të seancës plenare të Kuvendit të thirrur në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, e për rrjedhojë vetë mbledhja dhe vendimmarrjet e tij nuk sjellin asnjë pasojë, janë nul”, shkruan ATSh.
PD nënvizon se ndryshimet janë shqyrtuar dhe miratuar nëpërmjet procedurës së përshpejtuar pa respektuar kalimin e afatit 1-javor të sanksionuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Seanca ka cenuar parimin e demokracisë përfaqësuese, në drejtim të lirisë së shprehjes, pasi deputetëve, në kundërshtim me Kushtetutën iu mohua e drejta e fjalës”, thuhet në kërkesën e PD-së.
Gjithashtu, në një padi të dytë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon Gjykatës shfuqizimin, si të papajtueshëm më Kushtetutën të dekretit të Presidentit për “ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella”.
Sipas PD-së, “dekretimi i Diellës cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi Presidenti krijon një strukturë të re ministrore (ministrin virtual të inteligjencës artificiale), dhe i cakton Kryeministrit përgjegjësi të reja (për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual)”.
“Dekreti cenon organin kushtetues të ministrit, pasi Presidenti krijon një “ministër virtual”, i cili nuk përmbush cilësitë kushtetuese të emërimit si ministër, procedurat e emërimit dhe betimit të tij, si dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive”, theksohet në kërkesën e PD-së.