Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni), në lidhje me shpërthimin e pajisjeve të komunikimit në Liban, deklaroi se asnjë sulm në rajon nuk do të ndihmojë në uljen e tensioneve, raporton Anadolu.
Zëvendëszëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përditshme për shtyp, ku përsëriti se SHBA-ja nuk kishte asnjë lidhje me shpërthimet e pajisjeve “pager” dhe atyre të radio-komunikimit të martën dhe të mërkurën në Liban.
“Ne e dimë se tensionet janë të larta në rajon dhe jemi të shqetësuar për këtë përshkallëzim”, tha ajo.
E pyetur se “si kanë ndikuar sulmet në Liban në tensionet në rajon”, Singh tha: “Mund të them se çdo sulm që do të përshkallëzojë rajonin, nuk do të ndihmojë në uljen e tensioneve apo përfundimisht arritjen e marrëveshjes së armëpushimit që ne duam”.
Ndërkaq, në një pyetje se “nëse SHBA-ja do ta mbështesë Izraelin pavarësisht se çfarë bën në rajon”, ajo u mjaftua duke u përgjigjur se gjenden në rajon me qëllimin për ta ndihmuar Izraelin në vetëmbrojtje dhe në të njëjtën kohë për të mbrojtur forcat amerikane.
Ndryshe, më 17 shtator, shpërthime të njëkohshme ndodhën në pajisjet “pager” të përdorura nga anëtarët e Hezbollahut në Liban. Nga shpërthimet, 12 persona humbën jetën, duke përfshirë dy fëmijë, dhe 2.323 u plagosën.
Një ditë më pas, më 18 shtator, 25 persona humbën jetën dhe mbi 608 të tjerë u plagosën si pasojë e një vale të re shpërthimesh në pajisjet e radio-komunikimit në vend.
Ndërsa zyrtarët libanezë e konsiderojnë Izraelin përgjegjës për incidentin, Tel Avivi nuk ka komentuar ende për këtë çështje.
Përplasjet midis Hezbollahut dhe Izraelit janë intensifikuar që nga fillimi i sulmeve izraelite në Gaza më 8 tetor 2023.