Edhe një javë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, Policia e Kosovës po vazhdon të kryej ende hetime në zonën malore të Banjskës në Zveçan.
Hetime janë duke u kryer edhe sot. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Po është duke vazhduar po bëjmë pastrim të terrenit. Do të shohim nëse do të gjendet diçka”, ka thënë Elshani.
Si pasojë e sulmit terrorist të 24 shtatorit mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.
Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit në këtë zonë edhe më 30 shtator, përfshirë këtu: raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jelekë anti-plumb etj.
Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. /Telegrafi/