Prokuroria Themelore e Pejës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se për të dy rastet e dhunimit që janë raportuar në Istog dhe Klinë tashmë ka ndaluar dy persona nën dyshimin se të njëjtit kryer veprën penale “Dhunimi”.
“Në rastin e parë Prokurori i Shtetit ka ndaluar të dyshuarit F.SH, nën dyshimin se i njëjtit ka dhunuar një të mitur në komunën e Klinës. Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për të Mitur, ndaj të pandehurit (F.SH) ka bërë sot kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në Gjykatë Themelore të Pejës, për veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se në rastin e dytë me urdhër të Prokurori të Shtetit është ndaluar i dyshuari M.Z., nën dyshimin se i njëjtit ka dhunuar një të mitur nga komuna e Istogut gjatë muajit të kaluar.
“Po ashtu, gjatë ditës se sotme, Prokurori i Shtetit për të pandehurin M.Z., do bëjë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në Gjykatën Themelore të Pejës”, thuhet në njoftim.
Telegrafi ka mësuar se e mitura që dyshohet se u dhunua në Istog është 13 vjeçare, kurse e mitura tjetër në Klinë është 14 vjeçare.
Lidhur me këto çështje penale, Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me të gjitha institucionet relevante, ka theksuar se do t’i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e gjitha rrethanave të këtyre veprave penale.
Ndryshe Telegrafi ka raportuar sot për të dy rastet në fjalë. E mitura nga Istogu nuk e kishte raportuar rastin deri dje në polici për shkak të frikës dhe kërcënimeve që kishte marrë nga i dyshuari.