Moska mund të armatosë vendet me synimin për të sulmuar objektivat perëndimore, kështu ka paralajmëruar presidenti rus, Vladimir Putin.
Putin bëri këtë deklaratë duke kritikuar dërgimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga Perëndimi në Ukrainë.
Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, i kanë dhënë Ukrainës dritën jeshile për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Një veprim i tillë mund të çojë në “probleme shumë serioze”, tha Putin.
“Nëse dikush mendon se është e mundur furnizimi me armë të tilla në një zonë lufte për të sulmuar territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne, pse nuk kemi të drejtë të furnizojmë armë të së njëjtës klasë në rajonet e botës ku do të ketë goditje në objektet e ndjeshme të atyre vendeve?”, shtoi presidenti rus, raporton BBC.
Putini nuk specifikoi se cilat vende mund t’i furnizojë Moska me armë.
Ai veçoi Gjermaninë, e cila kohët e fundit i tha Ukrainës se ishte e lirë të godiste objektivat brenda Rusisë me armë me rreze të gjatë të prodhimit gjerman.
“Kur ata thonë se do të ketë më shumë raketa që do të godasin objektivat në territorin rus, kjo shkatërron përfundimisht marrëdhëniet ruso-gjermane”, tha Putini