Masat ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) kanë qenë të padrejta dhe pritet që të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Bratislavës, por edhe pas përmirësimit të situatës në terren.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Sipas tij, Qeveria nga momenti i arritjes së marrëveshjes në Bratislavë ka përmbushur pikat e saj.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i saj, Besnik Bislimi ka arritur një marrëveshje në Bratislavë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak mbi hapat e zbatimit të deklaratës së 3 qershorit të BE-së për deeskalim të situatës në katër komunat në veri.
Prej atij momenti, Republika e Kosovës ka përmbushur pikën e parë të atij dakordimi me rastin e uljes prej 25% të pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkaq, në kuadër të pikës së tretë të dakordimit të Bratislavës, Kryeziu u shpreh se tashmë Qeveria ka themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme.
“Pra Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Ne kemi thënë që masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe presim që ato të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brastisllavës por edhe pas përmirësimit të situatës në terren”, ka thënë Kryeziu për Telegrafin.