Serbia mbetet aleati i vetëm i fortë i Rusisë në Evropë, përveç Bjellorusisë, me presidentin Aleksandar Vuçiq që refuzon të ndjekë sanksionet e BE-së.
Në të njëjtën kohë, paradat me flamuj rusë dhe pankarta me imazhin e Putinit janë të zakonshme në kryeqytetin e Serbisë.
Për temën e luftës në Ukrainë, Rama i tha gazetës austriake se është një kërcënim potencial për rajonin sepse Rusia tradicionalisht ka pasur një ndikim të fortë në Ballkan.
“Kjo është veçanërisht e vërtetë për Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur i shqetësuar për ndikimin rus në rajon, ndërsa ka shprehur mirëkuptim për qëndrimin e Beogradit ndaj Moskës.
Ai shtoi se është e rëndësishme që ky kërcënim potencial të mbahet jashtë Ballkanit, por sipas tij nuk duhet të bëhet më presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione.
“Sanksione të tilla nuk janë të mundshme sepse, pa Rusinë, Serbia nuk mund të mbijetojë. Për më tepër, qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiq nuk do t’i mbijetonin politikisht sanksioneve kundër Rusisë. Serbia tashmë ka mbajtur qëndrim. Nuk duhet të harrojmë se Beogradi tashmë ka votuar tre herë kundër Rusisë në OKB. Kjo është një surprizë e madhe”, shtoi ai.
Ndërkohë, Vuçiq i tha parlamentit të Serbisë së fundi se kurrë nuk do të kishte njohje direkte apo indirekte të Kosovës, pavarësisht “histerisë së bashkësisë ndërkombëtare” për shkak të luftës në Ukrainë.