Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të udhëtojë të premten drejt Britanisë së Madhe për një vizitë zyrtare. Rama pritet të takohet me homologun e tij Rishi Sunak.
Në fokus të vizitës pritet të jetë çështja e emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe.
Disa ditë më parë gjatë qëndrimit në Granada ku mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të përbashkët me liderët kryesorë të Evropës, mes të cilëve edhe kryeministrin britanik.
Në fokus të bisedimit ka qenë lufta kundër grupeve që organizojnë kalimin e emigrantëve në Britaninë e Madhe.
Kujtojmë se Samiti i Granadas u shoqërua me përplasje mes udhëheqësve të BE-së me Hungarinë, pasi kryeministri i vendit të Evropës Lindore, Viktor Orban, këmbënguli në një samit në Granada se nuk do të mbështeste ligjet e propozuara për të trajtuar emigracionin.
Polonia gjithashtu iu bashkua protestës, duke akuzuar Brukselin për imponimin e një “diktati” ndaj vendeve të tjera anëtare, në lidhje me ligjet e propozuara, që do të zbatoheshin në rast të një krize të papritur refugjatësh si ajo e vitit 2015, kur më shumë se 1 milion njerëz mbërritën në BE nga Siria dhe më gjerë.
Duke përdorur gjuhë provokuese gjatë rrugës së tij në konferencë, Orban e përshkroi një marrëveshje pa Hungarinë si një sulm ndaj vendit të tij, sepse udhëheqësit e BE-së kishin vazhduar me ligjet pa mbështetjen e tij ose të Polonisë.
Ai pretendoi se ligjet – të cilat ende nuk janë votuar – kishin nevojë për mbështetje unanime, por Këshilli Evropian ka këmbëngulur publikisht se duhej vetëm mbështetja e shumicës. /Telegrafi/