Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratimin e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, me vlerën të pandryshuar.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha për RTV21 se janë të pakënaqur me këtë nivel të shtesave, duke thënë se shumë i ulët. Ai paralajmëroi veprime sindikale në rast se qeveria nuk reflekton në këtë drejtim.
“Nuk do të pajtohemi, jemi të pakënaqur me atë nivel të shtesave për rrezikshmëri sepse është më e vogël, më shumë se gjysma dhe më pak se ajo që e kemi pranuar para zbatimit të ligjit të Pagave. Po presim që të reflektohet pozitivisht në këtë drejtim sepse ne si sindikatë do të veprojmë konform kërkesave që do t’i kemi nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës pa dallim të asnjë njësie policiore’, tha Zeqiri.
Sipas vendimit të qeverisë për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.
Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.
Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.
Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.