Akuzat ndaj Perëndimit në lidhje me Kosovën ishin në fokus të fjalimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në fjalimin e tij gjysmëorësh më 21 shtator, Vuçiq akuzoi vendet perëndimore se kanë “shkelur brutalisht” Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të OKB-së duke njohur Kosovën.
Ai i kushtoi kohë ngjarjeve që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Radio Evropa e Lirë (edicioni në gjuhën serbe) verifikoi saktësinë e pretendimeve nga fjalimi i Vuçiqit.
Mohimi i terrorit policor ndaj shqiptarëve
“Shpjegimet e pakuptimta dhe të parëndësishme, sikurse terrori policor që autoritetet serbe kryen në krahinën e tyre jugore një dekadë më parë (1999), kriza humanitare, dëbimi i popullatës vendase shqiptare, janë vetëm një pikë që ka bërë të derdhet gota me gënjeshtra dhe marrëzira (…)”, ka thënë Vuçiqi në Asamblenë e OKB-së.
Faktet: Krimet e forcave ushtarake dhe policore kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë u vërtetuan me aktgjykime kundër anëtarëve të udhëheqjes politike dhe ushtarake të RF të Jugosllavisë para tribunalit ndërkombëtar në Hagë.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në vitin 1999, janë vrarë më shumë se 10.000 civilë, prej të cilëve mbi 8.000 ishin të nacionalitetit shqiptar.
Pothuajse 1000 mbetje motorë të shqiptarëve të vrarë të Kosovës u gjetën në varreza masive në Serbi.
Në Kosovë ende zhvillohen kërkimet për rreth 1600 persona të zhdukur, kryesisht pjesëtarë të komunitetit shqiptar.
Bombardimet e NATO-s në RF të Jugosllavisë filluan më 24 mars 1999, pas raportimeve të shumta për shkelje të të drejtave të njeriut dhe dhunë të ushtruar nga ushtria dhe policia serbe ndaj popullatës shqiptare, shkruan REL, transmeton Telegrafi.
Bombardimi përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999. Pas kësaj u tërhoq ushtria dhe policia serbe nga Kosova.
Sipas të dhënave të UNHCR-së, 230,000 serbë dhe romë janë larguar nga Kosova që nga ardhja e forcave paqeruajtëse dhe 800,000 shqiptarë që u deportuan janë kthyer.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Manipulimi me numrin e viktimave të bombardimeve të NATO-s
“Për dallim nga viti 1999, kur bombarduan Beogradin dhe qytetet e tjera të vendit tim, duke lënë një gjurmë të përgjakshme prej disa mijëra civilësh dhe ushtarësh të vdekur…”, tha Vuçiq në OKB.
Faktet: Numri i paspecifikuar i “disa mijëra civilëve dhe ushtarëve të vdekur” gjatë bombardimeve të NATO-s në RF të Jugosllavisë nuk është i saktë.
Shteti i Serbisë asnjëherë nuk ka bërë një listë zyrtare të viktimave të bombardimeve të NATO-s.
Lista e emrave u publikua në vitin 2014, si pjesë e projektit të pajtimit KOMRA, nga Fondi joqeveritar për të Drejtën Humanitare (FDH) në Serbi dhe Kosovë, të cilat merren me dokumentimin e krimeve në territorin e ish-Jugosllavisë.
Sipas atij regjistrimi, në sulmet e NATO-s vdiqën 756 persona, përkatësisht 452 civilë dhe 304 pjesëtarë të forcave të armatosura.