Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Projektin “KosEd: Përkrahje për Arsimin Fillor dhe të Mesëm të Lartë” kanë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet për procesin e rishikimit të teksteve shkollore, raporton ‘Ekonomia Online’. Me këtë rast ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se procesi i rishikimit të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës në arsimin e obligueshëm nga MAShTI është dëshmi drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit parashkollor.
Sipas saj, tekstet shkollore ndër vite janë përcjellë me sfida dhe probleme të shumta, përfshirë aspektin përmbajtjesor dhe atë teknik. Prandaj edhe kanë ndërmarrë hapa duke e marrë për bazë që cilësia e teksteve shkollor ka impakt të drejtpërdrejtë në formësimin e aspekteve madhore në jetën e një individi.
Në këtë proces ajo tha se janë përfshirë ekspertë arsimorë dhe mësimdhënës nga shkollat në mënyrë që të arrihen rezultatet konkretet. Madje tha se mënyra më e mirë për përmirësimin e cilësisë është duke u rritur përfshirjen me bazë të gjerë e të gjithë komunitetit arsimor në të gjitha proceset relevante.
Nga të gjeturat tha ajo është konstatuar se tekstet shkollore nuk janë shumë të dëshirueshme për lexim nga ana e nxënësve, madje shumë tekstet janë të gjata dhe shpeshherë pa mesazh. Sipas saj, këto tekste duhet të përmbajnë vlera të kulturës duke sjell edhe mesazh për historinë tonë.
“Përmirësimi i cilësisë në arsim është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Rishikimi i teksteve të lëndës së gjuhës dhe matematikës nga klasa 1-9 është iniciuar nga MAShTI dhe tregon përkushtimin për cilësinë e rezultateve të nxënësve. Tekstet shkollore vazhdojnë të jenë burim kryesor për mësim dhe i përgatisin nxënësit për një jetë të rëndësishme, ky raport për 38 tekste ka synuar të bëjë rekomandime për cilësi sepse çështja e teksteve shkollore ka qenë me interes edhe gjatë gjithë viteve të tjera, por kanë munguar disa analiza të hollësishme që tregojnë për gjerat që duhet ndryshuar”.
“Ne kemi vendosur të përdorim një mekanizëm vlerësimi të bazuar në kritere gjithëpërfshirëse që të mund të bëjmë përmirësime në cilësi dhe është bërë rritja e kapaciteteve të teksteve shkollore pas përcaktimit të kritereve të metodologjisë. Faza e parë ka synuar tekstet e gjuhës shqipe ku kemi marr në rishikim 21 tekste nga lënda e gjuhës shqipe dhe nga matematika 17 tekste, për këto tekste kemi krijuar raporte të hollësishme”.
“Disa nga sugjerimet kanë të bëjnë me kontekstet sepse shumica e teksteve shkollore janë teorike dhe rekomandimet do të ndihmojnë edhe zhvillimin e mendimit kritik ndërsa analiza ka treguar se tekstet shkollore nuk janë shumë të dëshirueshme për lexim nga ana e nxënësve dhe të mësuarit përmendësh, shumë nga tekstet janë tekste të gjata me jomjaftueshëm ilustrime dhe shpeshherë pa mesazh sepse këto tekste duhet të përmbajnë vlera të kulturës së Kosovës duke sjell edhe mesazh për historinë tonë”.