12/10/2024

Sabriu: Mbështetja turke për FSK-në do të vazhdojë – zgjidhja mes Kosovës e Serbisë jo ushtarakisht

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunxh Angili, lidhur me tensionet Kosovë-Serbi, tha se “ky problem nuk ka zgjidhje ushtarake, por mund të zgjidhet me dialog”.

Në një intervistë për “Anadolu”, Angili bëri vlerësime për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëdhëniet tregtare Turqi-Kosovë dhe regjistrimin e popullsisë që pritet të bëhet në Kosovë në muajin prill 2024.

Angili tha se ai po vazhdon punën e tij me një agjendë intensive në Kosovë, ku ka bërë afër një vjet punë.

“Nuk më duket sikur jam në një vend të huaj. Ndër vendet ku kam punuar deri më tani, Kosova për mua është vendi më i afërt me Turqinë në aspektin kulturor, për sa i përket këndvështrimit të njerëzve për jetën, madje edhe në aspektin e traditës së ushqimit dhe gjeografisë”, tha ai.

Duke u shprehur se kërkojnë stabilitet të përhershëm dhe paqe në rajon sepse Turqi është një vend ballkanik, Angili theksoi se ngjarjet që ndodhin në Ballkan ndihen thellë edhe në Turqi.

Dialogu Kosovë-Serbi

Ambasadori Angili tha se Turqia është e gatshme të kontribuojë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëse palët e kërkojnë atë.

“Politika jonë është e qartë, ne po përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie të barabarta dhe të bazuara në përfitime reciproke me të gjithë në Ballkan. Kjo është e njëjta gjë për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit. Si e tillë, kjo forcon pozicionin e Turqisë si një aktor i besueshëm”, tha ai.

Angili theksoi se Turqia po kryen diplomaci intensive në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së shpërndarjes së energjisë elektrike që është duke vazhduar që nga viti 1999 në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Çështja e shpërndarjes së energjisë ishte një nga faktorët që thelloi krizën e besimit mes dy palëve në veri, sepse, çështja e energjisë gjithmonë shqetëson drejtpërdrejt publikun. Është një hap shumë i rëndësishëm që kjo është tejkaluar dhe është krijuar një kornizë e caktuar ligjore sipas ligjeve të Kosovës. Është një hap që mund të ndikojë pozitivisht në dosjet e tjera në procesin e dialogut, dhe në këtë pikë arritën edhe Kosova edhe Serbia duke ndërmarrë hapa të ndryshëm dhe duke u detyruar të veprojnë në mënyrë konstruktive, por edhe Turqia mbështeti rolin lehtësues të Bashkimit Evropian (BE). Mund të them se po bëjmë diplomaci intensive me Qeverinë e Kosovës sa i përket Kompanisë Kosovare të Distribuimit të Energjisë Elektrike (KEDS). Kjo na tregoi se, Kosova dhe Serbia mund të ndërmarrin hapa kur të dyja palët të shohin se po fitojnë dhe se po kujdesen për interesat e tyre”, theksoi ambasadori.

Angili ka theksuar se marrëveshja e nënshkruar së fundmi në fushën e energjisë ndërmjet KEDS-it dhe kompanisë serbe Elektrosever, me kontributin e Turqisë, përbën të vetmin zhvillim konkret për këtë vit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Nuk ka zgjidhje ushtarake për problemin kosovaro-serb”

Angili tha se mbështetja e tyre për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fusha të caktuara nuk është kundër asnjë shteti tjetër, përfshirë Serbinë.

“Si Turqi, si shumë vende të tjera, ne besojmë se e vetmja rrugë për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialogu. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem, por mund të zgjidhet me dialog”, tha ai.

Duke theksuar se Forca Paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) është një forcë e domosdoshme për të siguruar një mjedis të sigurt në Kosovë, Angili vuri në dukje se ka pasur përparim në kapacitetin ushtarak të këtij misioni, pasi Turqia mori komandën e KFOR-it për një vjet, që nga tetori i këtij viti.

“Synimi në marrëdhëniet Turqi-Kosovë në 2024, thellimi dhe diversifikimi i bashkëpunimit ekonomik”

Duke folur rreth marrëdhënieve tregtare në mes Turqisë dhe Kosovës, Angili tha se “ne mendojmë se nëse e diversifikojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim ekonomik, në vend që ta shohim vetëm si tregti, do të përfitojë edhe punësimi edhe eksporti i Kosovës. Ky do të jetë një nga synimet më të rëndësishme në marrëdhëniet Turqi-Kosovë në vitin 2024: thellimi dhe diversifikimi i bashkëpunimit ekonomik”.

Ai vuri në dukje se Kosova ka nevojë për investime në fushën e ndërtimit dhe energjetikës në periudhën e ardhshme dhe theksoi se kompanitë turke me përvojën e tyre mund të jenë partner i rëndësishëm në këtë drejtim.

“Ka kompani nga Turqi të gatshme të investojnë këtu. Me investimet dhe prodhimin që bëjnë këtu, ata mund të eksportojnë në BE dhe ShBA, duke rritur kështu punësimin dhe eksportin e Kosovës. Kjo e bën bashkëpunimin ekonomik mes nesh më të qëndrueshëm. Investimet aktuale turke në Kosovë tashmë janë një shumë e konsiderueshme me mbi 400 milionë euro. Me fjalë të tjera, kjo është një shifër prej përafërsisht pesë për qind të bruto produktit vendor të Kosovës. Kompanitë turke punësojnë më shumë se 10 mijë qytetarë të Kosovës. Kjo është arsyeja pse këtu shfaqet një model i favorshëm”, theksoi ai.

Duke folur për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të bëhet në Kosovë në prill të vitit 2024 për komunitetin turk në vend, Angili tha se beson që “komuniteti turk do t’i qaset çështjes së regjistrimit si një çështje kombëtare mbi politikën. Shpresojmë se do të shohim numrin real të turqve të Kosovës pas përfundimit të regjistrimit”.

Angili shtoi se turqit e Kosovës janë një element thelbësor në vazhdimësinë e Kosovës si një republikë e pavarur, e lirë dhe e vetëmjaftueshme.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...