Ashtu siç ka ndodhur prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, Sali Berisha do të vijojë të qëndrojë në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, që u vendos nga Gjykata e Posaçme GJKKO pas shkeljes së detyrimit për t’u paraqitur.
Këtë të mërkurë, ish-kryeministri u morr zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK, teksa prokurorët që po hetojnë dosjen “Partizani”, i komunikuan akuzën për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha tha për mediat se se është “i pandehur” për ato që i konsideroi “500 faqe me mashtrime”.
Qetësia opozitare e Sali Berishës u trazua keqazi mbrëmjen e 21 tetorit 2023. Ishte mbrëmja kur SPAK nisi ekzekutimin e tre masave sigurie shtrënguese të dhëna në mungesë ndaj tre personave të dyshuar për “korrupsion” gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, siç raporton A2.
E para ishte kundër liderit demokrat, Sali Berisha, tjetra kundër dhëndrit, Jamarbër Malltezi, dhe një e tretë ndaj një biznesmeni ndërtimi. Për ish-kryeministrin, SPAK kishte marrë miratim nga Gjykata e Posaçme për masën e “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. E njëjta masë edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa për Jamarbër Malltezin ajo e “arrestit në burg”.