Shkruan: Mr. Amir Shabani
“Bordi i Paqes” i udhëhequr nga SHBA-të është themeluar zyrtarisht si një organizatë ndërkombëtare. Ky organ është i përkushtuar për të çuar përpara paqen, sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë për popullin e Gazës dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi. Përmes mbikëqyrjes së strukturuar dhe angazhimit të koordinuar ndërkombëtar. Bordi i Paqes synon të mbështesë stabilitetin, rindërtimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në të gjithë rajonin.
Ndër vendet partnere të këtij organi ndërkombëtar diplomatik është edhe Republika e Kosovës si një anëtare themeluese. Presidentja Vjosa Osmani nënshkroi statutin e organizatës në një ceremoni nënshkrimi në Davos ku veç tjerash është vërejtur një afërsi shumë miqësore mes saj dhe Presidentit Trump.
Njëkohësisht, Kosovës, po edhe Shqipërisë, nuk u është kërkuar të paguajnë 1 miliard dollarë ose ndonjë shumë tjetër për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes” të Trumpit si anëtarë themelues.
Kosova, nëpërmjet Presidentes Osmani po shton vazhdimisht pjesëmarrjen dhe angazhimin e saj në arenën ndërkombëtare duke dëshmuar një gatishmëri diplomatike për sfidat dhe turbulencat gjeopolitike që ngjajnë në mbarë globin. Kjo është një arritje e suksesshme për Kosovën dhe si rezultat i aleancës së pandarë me SHBA-të, ku nëpërmjet këtyre hapave konkret, padyshim se lehtësohet edhe rruga e integrimit euro-atlantik.
Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet që nuk u ftua në Bordin e Paqes të Presidentit Trump gjatë këtij Samiti të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Kryeministri Mickoski ka pasur vetëm dy takime dypalëshe (jo të rëndësishme), por të paraqitura me një PR profesional për qytetarët e vendit, megjithatë pjesëmarrja në tryezat ndërkombëtare nuk realizohet vetëm me PR, por me hapa dhe axhendë konkrete.
A ka sot Maqedonia e Veriut ngecje në marrëdhëniet ndërkombëtare, në takimet e rëndësishme bilaterale dhe pjesëmarrjet në tavolinat e vendimeve globale si shumë vende tjera? Po, fatkeqësisht! Por jo sepse nuk ka vlera, dije dhe kuadro, por sepse nuk ka peshë diplomatike.
Në një organ si Board of Peace ku pjesëmarrës janë Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia e shumë vende tjera, përjashtimi i Maqedonisë së Veriut është sinjal alarmi për politikbërjen e gabuar sa i përket politikës së jashtme, po edhe asaj të brendshme në fusha të caktuara (gjyqësori, administrata, ndryshimet kushtetuese), së fundmi – edhe pezullimi i vizave amerikane për emigrantë për qytetarët e vendit tonë.
Vazhdimësia e tillë e politikbërjes mund të na pozicionojë vetëm në “qor sokak”, por assesi në forumet e rëndësishme diplomatike. Shkupi zyrtar ka nevojë për një diplomaci vizionare, që do t’i hapen dyert nëpër kancelaritë perëndimore, të dijë të shtrijë dorën e bashkëpunimit dhe dialogut, marrëveshjes së mirëfilltë dhe ç’bllokimit të rrugës eurointegruese.






