Edhe pse kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK) ka dorëzuar sot Draft Kontratën e re Kolektive të Arsimit, në arkivin e MASHTi-t, Rrahman Jashari nuk u prit nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci.
Jashari, ka theksuar se është e katërta herë që i dërgon shkresa Nagavcit, por ajo në njëfarë forme, po i anashkalon takimet me SBAShK-un, duke thënë se “ka shumë takime brenda dhe jashtë vendit”.
Sipas tij si arsye e këtij “inati” të saj me SBAShK-un është që nga greva e mbajtur në vitin 2022.
Duke shpresuar që ky inat të kalojë, Jashari shton se kjo është në dorë të ministres Nagavci dhe nëse ajo thotë se ndonjë nenë nuk është i qëlluar, atëherë komisioni do ta heq një nen të tillë.
Sipas Jasharit, sjellja e ministres, nuk është e duhura sepse kjo kontratë është obligative edhe nga ana e MASHTi-t.
Kjo kontratë, parasheh rregulla strikte që duhet të përmbahen nga punëtorët dhe punëdhënësit.
Sipas tij, pa këtë kontratë secili mund të sillet sipas “tekave” të tyre dhe në këtë mënyrë arsimi del jashtë “binarëve”
Sipas ligjit të punës, kontratat e sektorëve duhet çdo tre vite të ri- negociohen e të nënshkruhen.