13/06/2024

Së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër në Qeverinë Kurti po hetohen nga Task Forca

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati po hetohet në lidhje me rastin e dëmtimit të mësimdhënësve, të cilëve dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ua kishte ndalur pagat gjatë kohës së grevës.

Për këtë rast ishte bërë kallëzim penal, të cilin Task Forca po e heton. Ministri Murati është ftuar nga Task Forca që të intervistohet në hetuesi në cilësinë të të dyshuarit, por ai ka refuzuar duke kërkuar që të intervistohet në zyre të tij. Hetuesit e Task Forcës nuk e kanë pranuar kërkesën e Muratit.

Se si do të veprohet, mbetet të shihet ditëve në vazhdim.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është ministrja tjetër që po hetohet nga Task Forca. Ajo së bashku me zëvendësministren Liza Gashi dyshohen për dhënien e 1 milion e 40 mijë eurove për “Caritasin Zviceran”, ku kjo e fundit ka angazhuar për kryerjen e shërbimeve OJQ-në Germin, në të cilën Liza kishte qenë drejtoreshe para se të bëhej zëvendësministre. Deri tash i janë paguar Caritasit 344 mijë euro.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një rast që po hetohet nga Task Forca, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak se dyshohet se në një rast ku në mënyrë të kundërligjshme rreth 300 mijë euro janë shpenzuar për projekte për minoritetet.

Ministrja e Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është ministrja e radhës që po hetohet nga Task Forca, nën dyshimin se keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të keqpërdorimit të rezerave shtetërore, përkatësisht në lidhje me blerjen e miellit dhe vajit, për të cilat është dëmtuar buxheti i shtetit.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj ministie, është intervistuar nga Task Forca, nën dyshimin se kjo ministri ka dhënë një kontrate për konsulencë mbi 130 mijë euro, ku konsulenti i angazhuar si arkitekt vendor, paguhet 5 mijë e 550 euro në muaj.

As Ministria e Infrastrakturës e udhëhequr nga Liburn Aliu nuk ka mbetur pa u hetuar nga Task Forca Anti-korrupsion. Në këtë ministri po hetohet zëvendës ministri Hysen Durmishi, në lidhje me tenderin e tiketave, për të cilin pas nënshkrimit, ishte zbrapsur.

Për të gjitha këto raste, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe Qeverinë Kurti II, por këta të fundit nuk kanë kthyer asnjë pergjigje.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...