Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, 89 vdekje të lidhura me motin janë raportuar pasi stuhitë e ashpra të dimrit goditën vendin javën e kaluar.
Të paktën 25 persona vdiqën në shtetin e Tennessee dhe 16 në Oregon, ku gjendja e jashtëzakonshme mbetet në fuqi.
Vdekje u regjistruan gjithashtu në Illinois, Pensilvani, Mississippi, Washington e New York.
Dhjetëra mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike: 10,000 banorë në Oregon, 8,000 në Karolinën e Veriut, 7,000 në Kaliforni dhe 4,300 në Kentucky.
Meteorologët parashikojnë se problemet e motit do të zgjasin deri në mes të javës, shkruan BBC.
Të mërkurën e kaluar, tre persona u goditën nga rryma në Portland, kur një shtyllë elektrike ra mbi veturën e tyre për shkak të erërave të forta.
Në Seattle, pesë njerëz vdiqën në katër ditë për shkak të kushteve të dimrit, shumica prej tyre të pastrehë. /Telegrafi/