Prishtinë- Për shkak se nuk ka dëshmi se e paditura “ONIMA” sh.p.k., e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, është shtyrë seanca e paraparë për caktimin e masës së sigurisë, në rastin ku interpretuesi i këngëve fetare islame (ilahive), Nusret Kurtishi, ka ushtruar padi për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe kompensimin e dëmit ndaj subjektit juridik ONIMA.
Në seancën e së martës, ishte i pranishëm vetëm përfaqësuesi i autorizuar i paditësit – propozuesit të masës së sigurimit, Kurtishi, avokati Arbër Jashari, ndërsa nuk ishte i pranishëm askush nga e paditura – kundërshtari i sigurimit “ONIMA” sh.p.k, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi i rastit, Alajdin Tërshnjaku konstatoi se gjykata nuk ka dëshmi nëse pala e paditur e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, andaj në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar.
Sipas padisë së ushtruar më 9 gusht 2023, Nusret Kurtishi, autor-interpretues i këngëve fetare islame (ilahive), ka kërkuar nga Gjykata që të konstatohet se e paditura “ONIMA” ia ka shkelur të drejtat autoriale dhe të detyrohet “ONIMA” që të njëjtit t’ia lirojë kanalin zyrtar në “Youtube”, që përfshinë kthimin e kontentit të këtij kanali nën administrimin e plotë të paditësit.
Përmes padisë, Kurtishi ka kërkuar që të detyrohet “ONIMA” që t’ia kthejë të gjitha të ardhurat e realizuara financiare pa bazë ligjore nga viti 2016, në shumën e përcaktuar nga ana e ekspertit gjatë shqyrtimit kryesor. Ai ka kërkuar që në emër të dëmit material, përkatësisht fitimit të humbur, t’i paguhet shuma që do përcaktohet me ekspertizë, ndërkaq në emër të dëmit moral t’i paguhet shuma prej 50 mijë eurove.
Kjo ngase në padi thuhet se paditësi që nga nëntori i 2022-ës ka kërkuar nga “ONIMA” që t’ia lirojë kanalin zyrtar, e kjo nuk është bërë, dhe thuhet se në mënyrën më të vrazhdë të mundshme “ONIMA” ia ka shkelur të drejtat autoriale, duke mbajtur kundërligjshëm qasje në kanalin zyrtar dhe duke realizuar kundërligjshëm për vete të ardhura financiare.
Ndërkaq, përmes propozimit për caktimin e masës së sigurimit, të datës 6 tetor 2023, Nusret Kurtishi ka kërkuar që gjykata të caktojë masën e sigurimit dhe të detyrohet kundërshtari i sigurimit “ONIMA” që të përmbahet nga çfarëdo veprimi që cenon të drejtat autoriale të paditësit, posaçërisht të përmbahet nga lansimi i sulmeve të “copy right strikes” dhe çfarëdolloj veprimtarie tjetër që ndërlidhet me kanalin zyrtar të autorit Nusret Kurtishi në “Youtube”.
Gjithashtu, paditësi ka propozuar që t’i ndalohet kundërshtarit të sigurimit çfarëdo veprimi në dëm të secilës ilahi të interpretuar nga ai (Kurtishi), punës së tij intelektuale, veprave artistike dhe imazhit të tij në secilën platformë online apo media sociale pa dijen dhe miratimin e autorit. /BetimipërDrejtësi