Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është hedhur për të dytën herë apelimi i Isni Kilajt kundër mbajtjes së tij në paraburgim.
Vendimi është marrë e 26 shkurt 2024 nga gjyqtarja Michele Picard.
“Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës së Apelit: mohon Apelimin; udhëzon ZPS-në të paraqesë një version të redaktuar publik të Përgjigjes (IA005/F00003) ose të tregojë, nëpërmjet një dosjeje, nëse kjo dosje mund të riklasifikohet si publike brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për këtë Vendim; dhe udhëzon Regjistrin që të ekzekutojë riklasifikimin e Përgjigjes me ndikimin nga ZPS, nëse ka, dhe se si ajo mund të riklasifikohet”, thuhet në vendimin e gjyqtares Picard.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Kilaj kishte pohuar se gjyqtari i vetëm i procedurës paraprake kishte gabuar kur ka konstatuar se propozimi për të paguar garanci në vlerë të 30 mijë euro mund të merret në konsideratë vetëm si faktor zbutës i rrezikut të arratisjes dhe jo për pengim të mëtejmë të procedurave.
“Sipas Kilajt, gjyqtari i vetëm gaboi në “dallimin e paarsyeshëm” midis efektit dekurajues të një “shumë të madhe parash” që konfiskohet në rast se ai arratiset dhe të njëjtit efekt dekurajues në rast se ai ndërhyn në procedim ose kryen vepra të tjera. Kilaj parashtron se “baza e vetme” për një dallim të tillë është “arsyetimi” i Gjykatësit të Vetëm se “garancia e dorëzanisë është krijuar në parim për të siguruar jo kompensimin e humbjes, por praninë e të Akuzuarit në gjyq”, thuhet në vendim.
Ndërsa ZPS-ja ishte përgjigjur që Kilaj kishte keqinterpretuar vendimin e kundërshtuar.
Ndërsa sa i përket vlerësimit që i ka bërë paneli, ata kanë theksuar se janë të vetëdijshëm për faktin se aktakuza nuk është ngritur ende dhe se ngritja e saj sipas ZPS-së është e pashmangshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është transferuar më 3 nëntor 2023 në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pasi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.
Përveç kësaj vepre, Kilaj dyshohet edhe për veprën penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Shkelje të sekretit të procedurave”.