Një grup mjekësor sudanez akuzoi të enjten Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) për vrasjen e 38 civilëve në një fshat në shtetin e Kordofanit të Veriut në Sudan, transmeton Anadolu.
Rrjeti i Mjekëve të Sudanit tha se civilët u ekzekutuan menjëherë nga forcat e RSF-së të mërkurën në Umm Dam Haj Ahmed në Sudanin qendror. “Ky akt barbar ilustron politikën e RSF-së për vrasje të synuara bazuar në identitet, e cila është e përhapur në të gjithë Sudanin”, tha Rrjeti i Mjekëve në një deklaratë.
Gjithashtu u theksua se ky “krim i tmerrshëm” është i fundit në “fushatën e spastrimit etnik dhe gjenocidit që po zhvillohet nga RSF-ja kundër civilëve të pafajshëm në Kordofanin e Veriut dhe Darfur” mes “heshtjes dhe bashkëpunimit të turpshëm ndërkombëtar”.
Rrjeti i Mjekëve i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndaluar krimet e RSF-së dhe për të sjellë udhëheqësit e grupit rebel para drejtësisë. Ndërkohë nuk ka patur asnjë koment nga grupi paramilitar mbi akuzën.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), rreth 1.850 sudanezë janë larguar nga shtëpitë e tyre të hënën nga Kordofani i Veriut, përfshirë 1.000 nga zona e Umm Dam Haj Ahmed për shkak të përkeqësimit të pasigurisë.
Grupi paramilitar mori kontrollin mbi qytetin të hënën, një ditë pasi pushtoi El-Fasherin, një qytet kyç në rajonin e Darfurit që ishte nën rrethim që nga maji i vitit 2024. Disa grupe lokale dhe ndërkombëtare raportuan për vrasje masive, spastrim sistematik etnik dhe torturë të civilëve nga grupi rebel në qytet.
Të mërkurën, RSF mohoi raportet për ekzekutimin e mbi 400 pacientëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor brenda një spitali në El-Fasher. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 1.200 punonjës shëndetësorë dhe pacientë janë vrarë dhe 416 të tjerë janë plagosur në 185 sulme të verifikuara të RSF-së që nga fillimi i luftës në Sudan në vitin 2023.
Që nga 15 prilli 2023, ushtria dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësime të shumta rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë. Në konflikt janë vrarë rreth 20 mijë njerëz ndërsa janë zhvendosur mbi 15 milionë si refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda vendit, sipas raporteve të OKB-së dhe atyre lokale.






