Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se pavarësisht se vendi po përballet me sulme serioze kibernetike, sistemet ushtarake nuk janë prekur.
Peleshi ka theksuar se të gjithë aleatët janë bërë bashkë me Shqipërinë në këtë luftë.
“Po përballemi me sulme serioze kibernetike. Lajmi i mirë është që të gjithë aleatët janë bashkë me ne në këtë luftë. Sistemet tona kibernetike ushtarake nuk janë prekur. Janë mëse të mbrojtura, pasi janë më specifike dhe më autonome. Po punojmë për ta ngritur në nivel më të lartë sigurinë kibernetike, nëpërmjet një projekti prej 24 milionë dollarësh, që synon ngritjen e qendrës ushtarake të sigurisë kibernetike”, tha Peleshi.
“Jemi anëtarë të NATO-s, jemi të paprekshëm. Asnjë pëllëmbë e hapësirës së NATO-s nuk është e cenueshme”, shtoi Peleshi. /Telegrafi/