Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se armatimi i gjetur sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në veri bënë pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës.
Ai tha se armatimi i gjetur po e qartëson për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
“Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë. Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë. Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist”, ka shkruar ai.
Tutje ai tha se “ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës”.