Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Pas takimit, dyshja kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, transmeton Telegrafi.
“ 25 vite më pas, ne ju themi faleminderit që përkundër sfidave ju keni orientuar kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që kanë përcaktuar kapitujt më të lavdishme të historisë njerëzore. Ju falënderoj përzemërsisht që jeni këtu, në mënyrë që ta shihni dhe ju mirënjohjen e qytetarëve që kanë për ju. Në vitin 1999 roli juaj ishte vendimtar, sikurse atëherë që ishit hero, edhe sot jeni heroi i paqes për vendimin e drejt të asaj kohe dhe gjithë kësaj kohe që keni mbështetur Kosovën”, tha presidentja.
Tutje, ajo pohoi se vendimi për bombardimet e NATO-s ka qenë i drejtë, pasi në pyetje ishte ekzistenca e një populli.
“Më forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja. Kosova sot është një nga trashëgimitë tua…Shumë fëmijë të asaj kohe mbajnë emrin tuaj, ata janë dëshmi që sa shumë gjurmë keni lënë te ne”, u shpreh mes tjerash ajo.
Presidentja mes tjerash tha se ish kryeministri Tony Blair ka qenë hero dhe mbetet hero, pasi vendimi që ka marrë ka qenë i drejtë.
Sot shënohet 25-vjetori i çlirimit të Kosovës, ku janë planfikuar disa aktivitete./Telegrafi/