Zyrtarët norvegjezë sot thanë se tymi nga zjarret në Kanada që kanë mbuluar disa pjesë të SHBA-së dhe Kanadasë në një mjegull të dendur pritet të mbërrijë në Norvegji, transmeton Anadolu.
Shkencëtarët e atmosferës dhe klimës në Institutin Norvegjez të Kërkimeve Klimatike dhe Mjedisore (NILU) me anë të një modeli parashikuan se si tymi do të udhëtonte nëpër atmosferë.
Tymi ka lëvizur mbi Grenlandë dhe Islandë që nga 1 qershori ndërsa vëzhgimet në jug të Norvegjisë kanë regjistruar përqendrime në rritje të grimcave të aerosolit, sipas institucionit të pavarur kërkimor.
“Ndoshta do të mund të shohim një mjegull ose nuhatje tymi”, tha Nikolaos Evangeliou, studiues në NILU. “Megjithatë, nuk besojmë se numri i grimcave në ajër këtu në Norvegji do të jetë aq i madh sa të jetë i dëmshëm për shëndetin tonë”, tha ai.
Bregu lindor i SHBA-së ka përjetuar nivele të rrezikshme të ndotjes nga zjarret që kanë përfshirë Kanadanë. Re masive të ajrit të pashëndetshëm shtrihen deri në pjesën qendrore dhe veriore të SHBA-së. Tymi ka prekur miliona njerëz, ka pezulluar fluturimet në aeroportet kryesore, ka shtyrë lojërat e Ligës së Bejsbollit dhe i ka detyruar njerëzit të mbajnë maska të kohës së pandemisë.
Kanadaja ka kërkuar ndihmë për të luftuar me më shumë se 400 zjarre në mbarë vendin.