18/05/2024

Ushtria izraelite fillon sulmin tokësor ndaj rajonit Rafah

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Ushtria izraelite njoftoi se ka filluar sulmin tokësor ndaj rajonit Rafah dhe se ka marrë nën kontroll pjesën palestineze të pikës kufitare të Gazës drejt Egjiptit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se në sulme njësitë e ushtrisë në lindje të Rafah u mbështetën nga divizioni 162 dhe brigada 401 e blinduar dhe se u mor nën kontroll pika kufitare Rafah e Gazës drejt Egjiptit.

Në anën palestineze të pikës kufitare që është rreth 3.5 kilometra larg Egjiptit është arritur kontroll i plotë, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se në sulm u vranë 20 palestinezë.

Është transmetuar se ushtria izraelite shënjestroi me raketa disa ndërtesa në afërsi të pikës kufitare Rafah në jug të Rripit të Gazës dhe se ka kryer goditje me artileri në zonat pranë pikës kufitare Rafah dhe Kerem Abu Salem.

Al-Aqsa TV e cila njihet për afërsinë me Hamasin tha se ushtria izraelite ka kryer goditje intensive në anën palestineze të pikës kufitare Rafah.

Dëshmitarët që kanë folur për gazetarin e AA-së kanë thënë se avionët luftarakë izraelitë kanë kryer sulme në zonat pranë pikës kufitare Rafah.

– Hamasi miratoi propozimin për armëpushim

Shefi i Byrosë Politike të Lëvizjes Hamas, Ismail Haniyeh informoi Katarin dhe Egjiptin se miratoi propozimet e tyre në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Pasi Hamasi tha se ka miratuar “propozimet e armëpushimit” që u përcollën nga Katari dhe Egjipti, Kabineti izraelit i luftës vendosi të vazhdojë sulmet në Rafah.

Ushtria izraelite në një deklaratë më 6 maj, kërkoi evakuimin e disa lagjeve në lindje të qytetit Rafah në të cilin janë strehuar palestinezët e zhvendosur me forcë.

Sipas lajmeve të Radios së Ushtrisë Izraelite, në zonën në lindje të Rafahut për të cilën kërkohet që të evakuohet, banojnë rreth 100 mijë palestinezë.

Migrimi i detyruar në lindje të rajonit filloi për shkak të shqetësimeve se ushtria izraelite do të nisë sulm tokësor në Rafah, në të cilin janë strehuar rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur.

Pika kufitare Rafah e Gazës është pika kryesore e kalimit për hyrjen e ndihmave humanitare dhe e vetmja pikë kalimi që përdoret nga palestinezët në Rripin e Gazës për të udhëtuar jashtë vendit.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, 34.735 palestinezë, përfshirë të paktën 14.944 fëmijë dhe 9.849 gra janë vrarë ndërsa 78.108 të tjerë janë plagosur.

Ndërsa raportohet se nën rrënoja ka ende mijëra të vdekur, po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...