Ushtria izraelite ka njoftuar se ka filluar të urdhërojë civilët palestinezë që të largohen nga pjesët e Rafahut lindor, përpara një operacioni të planifikuar në qytetin jugor të Gazës.
Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) thanë se rreth 100,000 njerëz janë duke u drejtuar drejt qyteteve me tenda në Khan Younis dhe Al Mawasi aty pranë.
Siç raporton BBC, ushtria izraelite po përdor mesazhe me tekst, fletushka dhe medie sociale për t’u thënë njerëzve të lëvizin.
Një zëdhënës i ushtrisë ka deklaruar se evakuimi ishte me shtrirje të kufizuar dhe do të ndodhte në një mënyrë graduale, pasi planet të miratoheshin nga qeveria izraelite.
Izraeli ka paralajmëruar prej muajsh se planifikon të dërgojë trupa në Rafah, qyteti jugor në kufi me Egjiptin.
Ushtria izraelite që atëherë ka kryer sulme ajrore në Rafah gjatë natës. Shtatë muaj pas ofensivës së tij kundër Hamasit, Izraeli ka thënë se fitorja është e pamundur pa marrë qytetin.
Por me më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur të strehuar atje, fuqitë perëndimore dhe Egjipti fqinj kanë ngritur frikën se mund të ketë një numër të madh të viktimave civile.