Milioneri austriak, Karl Rabeder, papritmas mori një vendim, që për shumë njerëz, që gjykojnë sipërfaqësisht, do të ishte budallallëk i llojit të vet. Ai vendosi të zhvishej tërësisht nga pasuria e tij dhe të kthehej në gjendjen që kishte qenë më parë.
E dini pse?
Për shkak se Karli kishte një ëndërr. Dëshironte të bëhej i lumtur ndërsa mjet për këtë e konsideronte paranë. Kur bëri para shumë, madje u bë edhe milioner, ai vuri re se nuk kishte arritur lumturinë. Kuptoi se paraja nuk qenka lumturia, andaj edhe e braktisi atë – hoqi dorë nga pasuria e tij.
Pasuria nuk është lumturi.
Shpirti i njeriut është tamam sikur çdo gjë tjetër, që ka edhe nevojat përkatëse. Ta zëmë, një pemë po e ujite me benzinë apo naftë, vetëm pse ke para, ajo nuk do të rritet. Pavarësisht se ke apo jo para, pema duhet të ujitet vetëm me ujë, ndryshe thahet. Edhe shpirti i njeriut ka ujin e vet. Ai sigurisht se nuk është pasuria. Nuk është dëfrimi. Nuk janë zbavitja, dehja, shthurja. Jo. Ato janë vetëm dehje e tij, pas kalimit të së cilës kthehen dhimbjet edhe më të mëdha. Lumturia është në besim. Vetëm besimi mund ta ujit shpirtin. Kështu është caktuar nga Allahu i Madhëruar.
Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.“ (err-Rr’adu, 28.)
Vëllezër dhe motra!
Jemi në Ramazan, në muajin e dashurisë, solidarizimit, altruizmit, bujarisë. Jemi në muajin e lumturisë shpirtërore. Para vetes kemi gjë ra të shumta me të cilat shpirtit tonë mund t’ia kthejmë shkëlqimin.
Adhurimi
Një nga gjërat e nënvizuara si me shumë ndikim në sjelljen e lumturisë për njeriun është dhe adhurimi për Zotin. Njeriu që adhuron Krijuesin e ndien veten më të lumtur se të tjerët për shumë arsye. Ai adhuron dhe shpreh mirënjohjen për Atë që e ka krijuar, e furnizon me të mira, që ka jetën dhe vdekjen e tij në dorë dhe tek i Cili është edhe kthimi. Adhurimin e merr edhe si mjet për të fituar kënaqësinë e Tij, reflektimi i së cilës në jetën e besimtarit është lumturia më e madhe. Ramazani është momenti i duhur për të realizuar këtë gjë. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“مَنْ قَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ
Kush falet në Ramazan me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!”[1] “مَنْ صَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ
Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!”[2] A nuk është kënaqësi të kuptosh se gjatë Ramazanit ti ke shansin e faljes së mëkateve të bëra?!
A nuk e bën të lumtur fakti besimtarin se Ramazani është premi për të, që nënkupton se po ia qëlloi një vepre, mund ta fiton Xhennetin. Nëse arrin Natën e Kadrit, atëherë atij i falen mëkatet. Shpëton. Allahu ka thënë:
Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!“ (el-Kadr, 3)
Këndimi i Kur’anit
Prej gjërave që sjellin lumturinë është përmendur edhe melodia e qetë. Njeriu mund të çlodhet dhe të kënaqet duke dëgjuar melodinë e Kur’anit apo edhe duke e kënduar vet atë. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“لَيْسَ مِنَّا مَنْ لَمْ يَتَغَنَّ بِالْقُرْآنِ
Nuk është prej nesh ai që nuk e këndon Kur’anin me zë të bukur!”[3] Paramendo çfarë kënaqësie dhe lumturie mund ta përshkojnë zemrën e besimtarin: e para, ai po kënaqet duke dëgjuar melodinë e bukur, e dyta, kënaqësia i shtohet edhe më kur ka parasysh shpërblimin e madh që arrin nga leximi. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“مَنْ قَرَأَ حَرْفًا مِنْ كِتَابِ اللَّهِ فَلَهُ بِهِ حَسَنَةٌ وَالْحَسَنَةُ بِعَشْرِ أَمْثَالِهَا لَا أَقُولُ الم حَرْفٌ وَلَكِنْ أَلِفٌ حَرْفٌ وَلَامٌ حَرْفٌ وَمِيمٌ حَرْفٌ
Kush e lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, atëherë ai për një shkronjë ka një shpërblim, e shpërblimi dhjetëfishohet. Nuk them se ‘elif lam mim’ është një shkronjë, por elif, shkronjë, laj, shkronjë dhe mim, shkronjë.”[4] Përgatiti: Dr. Sedat Islami