Duke reflektuar mbi historinë tonë të jetuar të këtyre tridhjetë viteve, por edhe mbi historinë e lexuar, që nga koha e formimit të shtetit shqiptar dhe themelimit të një komuniteti musliman shqiptar të mëvetësishëm, kemi një bindje të pakundërshtueshme se sfida më e madhe me të cilën jemi përballur dhe vazhdojmë të përballemi në këto troje është mbrojtja dhe ruajtja e identitetit tonë islam dhe kultivimi i tij i mëtejshëm. Ata që ishin para nesh u përballen deri edhe me sfida ekzistenciale, por edhe ato kulturore e identitare. Edhe sot sfida identitare është ajo më e madhja, jo vetëm për ne si muslimanë shqiptarë, por për vetë kombin tonë, duke ditur që sfidat e tij më të mëdha janë edhe sfidat tona, për vetë faktin se në përbëjmë shumicën dërmuese të këtij kombi ndaj dhe ajo që na ngjet neve i ngjet edhe atij.
Ne si shqiptarë ndodhemi mes përplasjeve të interesave politike, ekonomike, gjeostrategjike, por edhe fetare, ideologjike dhe kulturore të shteteve dhe agjendave globale shumë më të mëdha sesa ne. Të gjitha këto agjenda, apo më saktë shumica dërmuese e tyre janë në disfavor të identitetit tonë islam. Fillimisht ato tentuan të na zhduknin fizikisht dhe më pas edhe kulturalisht. Kjo e dyta është më e rëndë sesa e para sepse, nëse së parës i mbijetuam përmes rilindjes demografike, me të dytën i kemi punët pisk. Edhe pse sipas të gjitha statistikave dhe anketimeve shumica e shqiptarëve të Shqipërisë deklarohen si muslimanë, ata nuk njohin nga Islami pothuajse asgjë, dhe pjesës më të madhe as emrat nuk u kanë ngelur më muslimanë. Ata praktikojnë nga Islami shumë pak edhe atë vetëm në formën e një trashëgimie kulturore pa ja ditur shpesh kuptimin dhe qëllimin.
Rigjallërimi fetar që Shqipëria përjetoi pas rënies së komunizmit qe i kufizuar dhe më së shumti qe njëlloj revanshi ndaj ideologjisë apo më saktë fesë së dikurshme komuniste ateiste, që iu imponua me dhunë shqiptarëve. Qe një rikthim tek streha e mohuar shpirtërore dhe identitare, por megjithatë ende për shumicën e shqiptarëve të deklaruar si muslimanë feja nuk përbën një nga identitet e tyre më të qenësishme të ekzistencës. Sot sfida kulturore identitare afetare dhe joislame ka përfshirë dukshëm dhe rrezikon madje edhe brezin e fëmijëve tanë që kanë lindur mes prindërve praktikantë fetar, duke rrezikuar që ata ose të zhbëhen nga të qenit muslimanë, ose të ngelen muslimanë vetëm me emër, si prindërit tanë dikur dhe si pjesa më e madhe e muslimanëve në këtë vend ose muslimanë formalisht dhe dekor pas asnjë thelb dhe përmbajtje. Pra rrezikon të përsëritet e njëjta gjë që ndodhi me shqiptarët që nga krijimi i shtetit shqiptar në 1912 e deri në ardhjen në pushtet të komunistëve 33 vjet më pas.
Përballë kësaj sfide madhore për formatimin kulturor të muslimanëve sipas agjendave të reja afetare që na vijnë nga jashtë, ne përballemi me sfida të tjera që na vijnë nga brenda dhe nuk na lënë të kemi një vizion dhe plan të qartë pune, bashkëpunimi dhe ringritje për t’i bërë ballë kësaj sfide në mënyrën më të mirë të mundshme.
Disa prej këtyre sfidave më akute janë:
-𝐏ë𝐫ç𝐚𝐫𝐣𝐚 𝐬𝐞𝐤𝐭𝐚𝐫𝐞, 𝐤𝐥𝐚𝐧𝐨𝐫𝐞, 𝐢𝐧𝐝𝐢𝐯𝐢𝐝𝐮𝐚𝐥𝐞, 𝐤𝐫𝐚𝐡𝐢𝐧𝐨𝐫𝐞 𝐞𝐭𝐣.
Ne si shqiptarë historikisht kemi qenë të përçarë mes nesh, për arsye dhe shkaqe të shumta, të huaja dhe të brendshme, që do zgjateshim t’i përmendnim këtu. Por ne si muslimanë suni në këtë vend kemi shumë më tepër gjëra të përbashkëta që na bashkojnë dhe sfida gjithashtu të përbashkëta që na detyrojnë të bëhemi bashkë për to, e megjithatë akoma deri më sot nuk e kemi gjetur këtë gjuhë. Ndikimet e brendshme dhe të huaja, individuale, politike, sociale, sektare dhe klanore, madje edhe krahinore, vazhdojnë të jenë pengesë e madhe për gjetjen e një gjuhe unike islame që na përqendron pikërisht tek sfida identitare.
Ndërkohë që fetarisht kjo sigurisht që është e mundur. Vetëm kërkon vullnetin dhe dëshirën për ta bërë këtë nga të gjitha palët, duke u tërhequr apo kufizuar sigurisht çdo kush nga një pjesë e së vetës për hir të së madhes më të rëndësishme të përbashkët, që është ruajtja e Islamit në këto troje.
Si mundet t’i bëjmë të gjithë bashkë? Sigurisht që është e pamundur që të gjithë të jemi unik në bindjet tona dhe programet dhe aktivitetet tona. Por ne mund të bëhemi bashkë përmes asaj që ne e kemi të përbashkët dhe biem dakord për të, të cilat janë bazat dhe parimet themelore apo bazike të Islamit, për të cilat asnjë nga ne nuk ka kundërshtim apo rezerva. Dhe janë pikërisht këto parime që mund të shërbejnë si platforma e bashkimit, për t’i shërbyer pikërisht këtyre parimeve të përbashkëta, dhe për t’i zhvendosur mospajtimet jashtë kësaj platforme dhe duke mos i parë ato si pengesë për të punuar për atë që është e përbashkët.
-𝐌𝐮𝐧𝐠𝐞𝐬𝐚 𝐞 𝐧𝐣ë 𝐝𝐢𝐬𝐤𝐮𝐫𝐬𝐢 𝐚𝐩𝐨 𝐥𝐢𝐠𝐣ë𝐫𝐢𝐦𝐢 𝐢𝐬𝐥𝐚𝐦 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤 që i përshtatet kohës, vendit dhe sfidave që kemi në këtë shoqëri, duke iu referuar gjithmonë burimeve tona islame dhe trashëgimisë së mirë historike në këtë drejtim. Ky ligjërim duhet të jetë sa sfidues po aq dhe ofrues e joshës, duke sfiduar të gabuarën, të keqen dhe të pavërtetën dhe duke ofruar njëkohësisht, të vërtetën, të drejtën dhe më të mirën islame në këtë drejtim.
Dhe kjo sigurisht që nis nga përgatitja e kuadrove, fetarë por jo vetëm atyre, sepse feja nuk është çështje vetëm e hoxhallarëve, por e mbarë besimtarëve dhe të gjithë jemi përgjegjës për të para Zotit, kush më shumë e kush më pak.
Tejkalimi i kësaj sfide mund të bëhet vetëm përmes edukimit të duhur islam formal dhe jo formal. Pra përmes medreseve dhe universitetit, kurseve, instituteve, mësimeve, vazeve, hutbeve, shkrimeve dhe literaturës së përzgjedhur islame. Dhe sigurisht për të ecur në këtë rrugë kërkohet të bëhet ndoshta e njëjta gjë që u bë 100 vjet më parë. Një kongres mbarë shqiptar islam, ku të rrihen idetë dhe të paraqiten hulumtime dhe të jepen zgjidhje për më të mirën e mundshme.
– 𝐒𝐟𝐢𝐝𝐚 𝐞 𝐧𝐣ë 𝐢𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢 𝐩ë𝐫𝐟𝐚𝐪ë𝐬𝐮𝐞𝐬 𝐝𝐢𝐧𝐣𝐢𝐭𝐨𝐳. Sigurisht kjo është pasojë e sfidave të tjera, por duke qenë se jemi pikërisht në 100 vjetorin e kongresit të parë të muslimanëve të këtij vendi, dua ta vendos theksin tek kjo sfidë që është bërë një gangrenë e madhe për ne.
Shumë muslimanë thonë pse merreni me KMSH? Punoni dhe askush nuk ju pengon të punoni për fenë dhe nuk ka rëndësi se kush është në krye, sepse të gjithë ata që do të vijnë njëlloj do të jenë dhe njëlloj do të sillen?!
Në fakt problemi i kësaj mendësie nuk buron vetëm nga apatia, mungesa e dëshirës për tu përballur me sfidat e institucionit, individualizmi, sektarizmi etj, por edhe nga mos njohja dhe vlerësimi si duhet i rolit madhor të institucionit në këndvështrimin islam. I Dërguari i Allahut thoshte: “Kur çështja t’i jepet atij që nuk i takon, atëherë prite kiametin.”
Në njëjtin kontekst H. Ali Korça e përkthente dhe komentonte këtë hadith një shekull më parë duke thënë: “Kur i dorëzohet detyra atij që s’është i zoti e s’e meriton, atëherë prite shkatërrimin”, sepse nëpër shkolla dhe nëpër komunitetet fetare po u vendosën të pazotët në atë degë ka kopsitur kiameti.””
Në të njëjtën linjë, si të ishin fjalë profetike, edhe Umer ibn Hatabi do të shprehej: “Nuk ka Islam pa xhemat, dhe nuk ka xhemat pa udhëheqësi, dhe nuk ka udhëheqësi pa bindje. Atë që populli i tij e vë në krye për fik’hun që ka, ai do të ketë jetë për vete dhe për të tjerët. Ndërsa atë që populli i tij e vë në krye duke mos qenë i tillë, ai do të jetë shkatërrim për vete dhe për ta.”
Ajo që kuptojmë nga këto citime është së pari se institucionet duhet të drejtohen nga njerëz dinjitar, nga njerëz të aftë e të ditur dhe me përvojë dhe se kjo është përgjegjësi e xhematit që i zgjedh. Dinjiteti dhe prestigji i një institucioni varet nga dinjiteti dhe prestigji i njerëzve që e drejtojnë atë. Nëse në krye të tij katapultohen njerëz anonim, tepër të rinj dhe pa kredenciale dije dhe përvoje të mjaftueshme për drejtimin e një institucioni, por vetëm për faktin se i përkasin një sekti apo klani të caktuar, atëherë kemi të bëjmë me rrënim të institucionit dhe të vlerave në emër të të cilave ai është ngritur.
Gjëja e dytë që kuptojmë nga këto citime është se institucioni dhe drejtuesit e një komuniteti e marrin legjitimitetin nga xhemati, ndërkohë që sot për të ardhur keq as de jure dhe as de fakto institucioni përfaqësues i muslimanëve nuk e ka marrë legjitimitetin e tij nga xhemati, por përmes infiltrimit, katapultimit dhe uzurpimit institucional, që një sekt i vetëm, i mbyllur në vetvete, minorancë mes muslimanëve në këtë vend, dirigjon përmes pushtetit absolut KMSH, sikur ta kishte atë çiflig të tyre apo plaçkë lufte të marrë me armë.
Nëse i hedhim një vështrim statuteve të komunitetit mysliman në fillimet e tij, por edhe atij të Kosovës sot, do të vëmë re që ka një frymë të qartë organizimi komunitar përmes këshillave lokal. Ndërkohë që këshillat e myftinjve sot janë formalë dhe konsultativë, e vetmja vlerë juridike që ato kanë sot është thjesht për të përligjur një herë në katër vjet njerëzit që përzgjedh myftiu për në Këshillin e Përgjithshëm. Sigurisht aty ku bëhen zgjedhje, sepse në shumë raste as që bëhen zgjedhje të rregullta, por emrat e atyre që do të përfaqësojnë myftininë në Këshillin e Përgjithshëm caktohen me telefon nga kryetari apo njerëz në kryesinë e KMSH.
Nuk dua të hap thesin këtu tani për të treguar me fakte mjerimin institucional, financiar dhe përfaqësues jodinjitar ku është katandisur KMSH për vite me radhë, sepse kam shkruar dhe folur kaq shumë saqë një pjesë e di që do të mërziten duke ua përsëritur.
Ajo që ne kërkojmë është ndreqja e statutit të KMSH, organizimi i zgjedhjeve të rregullta, gjithëpërfshirje e të gjithë grupeve sunite në drejtimin dhe administrimin e institucionit, transparencë, punë konkrete për zgjidhjen e ngërçit financiar, gjetja e një gjuhe konsensuale dhe largimi nga sektarizmi dhe përçarja përjashtuese. Nëse drejtuesit ilegjitim të sotëm të institucionit nuk kanë as dëshirën dhe as vullnetin për ta bërë këtë, atëherë na del ne si detyrë dhe xhematit musliman në këtë vend për ta bërë këtë. Nuk mundet më të vazhdojmë në këtë situatë absurde të mungesës së dinjitetit dhe legjitimitetit moral dhe juridik dhe të bëjmë sehir sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Institucioni përfaqësues na përket të gjithëve dhe ai nuk është pronë ekskluzive për t’u drejtuar vetëm nga një grupim, për më tepër një grupim i cili operon përmes një agjendë të errët e të dyshimtë, që nuk ka mëvetësi të plotë shqiptare autoktone, por është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që ka në krye një njeri apo njerëz me pikëpamje devijante.
Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se janë vlerat ato që ngrenë institucionet, dhe institucionet ekzistojnë pikërisht për t’iu shërbyer këtyre vlerave. Institucionet nuk janë ato që diktojnë vlerat dhe praktikat, ato vetëm i përmbushin ato në terren. Dhe është fakt tashmë i padiskutueshëm që në të gjitha rastet dhe në të gjitha vendet kur veprohet sipas këtij parimi, ka mbarëvajtje, ka bereqet, ka moral ka dinjitet, ka një shoqëri të shëndoshë.
Një shoqëri apo bashkësi, çfarëdo qoftë ajo nuk funksionon dot më së miri nëse nuk operon më së miri përmes institucioneve të saj përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse, duke u bazuar mbi vlerat mbi të cilat është themeluar. Në të kundërt nëse institucioni janë vetëm individët, sekti, klani apo një grup i caktuar interesi, atëherë ai nuk është më një institucion, por një bandë që shkatërron vlerat dhe punon vetëm për agjendat e ulëta të kësaj bote.
𝗦𝗵ë𝗻𝗶𝗺: Ky tekst është referuar në datën 25 Shkurt 2023 në Hotel Tirana me rastin e një aktiviteti për përkujtimin e 100 vjetorit të Kongresit.
Ky është qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimin editorial të RTI-së