Aktivistja palestineze Ahed al-Tamimi, e cila u lirua nga burgu izraelit në kuadër të marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, tha se autoritetet izraelite i lënë të burgosurat palestineze pa ujë dhe pa rroba.
E njohur si “vajza e guximshme palestineze”, Tamimi në prononcimin për Anadolu pas lirimit, tha se lirimi i të burgosurve palestinezë për shkak të masakrave të Izraelit u mirëprit me gëzim të hidhur.
Ajo theksoi se Izraeli ka arrestuar rreth 30 të burgosura palestineze, 10 prej të cilave ishin nga Rripi i Gazës, pas sulmeve tokësore që filluan më 27 tetor dhe se gjendja e tyre ishte shumë e keqe.
23-vjeçarja Tamimi, e cila u arrestua nga Izraeli dhe u dërgua në burg më 6 nëntor, tha: “Situata në burg është shumë e vështirë, çdo ditë ka ngacmime ndaj të burgosurave femra. Femrat e burgosura lihen pa ujë dhe pa rroba, flenë në dysheme dhe rrihen”.
Tamimi deklaroi se zyrtarët izraelitë e kërcënuan se do ta sulmojnë babain e saj nëse tregonte se çfarë ndodhi në burg dhe tha: “Pavarësisht gjithçkaje, ne jemi më të fortë se pushtimi. Ne do të vazhdojmë (rezistencën) derisa të marrim lirinë”.
Forcat izraelite arrestuan babanë e Tamimit në Ramallah, në Bregun Perëndimor të pushtuar, në tetor. Babai i Tamimit ende është në burgun izraelit.
Ahed al-Tamimi, e njohur si “vajza e guximshme palestineze”, u vlerësua e denjë për “Çmimin e guximit Hanzala” në Istanbul për qëndrimin e saj ndaj ushtarëve izraelitë kur vëllai i saj u arrestua në vitin 2012.
Tamimi u takua edhe me presidentin Recep Tayyip Erdoğan.
Ajo u arrestua nga forcat izraelite në vitin 2017 dhe qëndroi në burg për 8 muaj.\Mesazhi.com.