Në Shqipëri po mbahet Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian (BE), si edhe zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si mikrpitës i samitit, ka pritur liderët dhe zyrtarët e tjerë pjesëmarrës në ambientet e jashtme të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, duke përfshirë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, komisionerin e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, është parashikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, t’i drejtohet samitit me anë të një video-mesazhi.
Në fjalën e tij në hapje të samitit, Rama tha se sot mblidhen për të thelluar bashkëpunimin si kombe me mendësi të ngjashme që kërkojnë të bashkohen me bashkimin e shteteve evropiane. Ai tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.
Kryeministri Rama theksoi se mbeten të vendosur për të nxitur përmirësimin e marrëdhënieve me të gjithë parterët rajonalë, sipas tij, duke nxitur paqen, dialogun dhe bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Varhelyi në fjalën e tij në hapje të samitit tha se procesi i integrimit do të thotë që ekonomitë dhe shoqëria e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Evropian dhe, sipas tij, kjo do të thotë që edhe BE-ja duhet që të ofrojë të gjithë përfitimet që sjellë ky proces.
“Kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që do të mund të arrijnë të marrin përfitimet e këtij plani dhe të mirat që sjell ky plan, i cili ka mundësinë që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e ardhshme. Që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë përpara vetë me shpejtësi dhe kjo do të thotë që të arrihen rezultate për ato reforma që në fakt e bëjnë këtë plan funksional”, po ashtu komisioneri theksoi se ky plan do të funksionojë nëse vendet aplikojnë rregullat e Bashkimit Evropian.
Samiti do të ofrojë gjithashtu mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Sipas autoriteteve shqiptare, plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Në përfundim të samitit njëditor, kryeministri Rama dhe komisioneri Varhelyi do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.