Sipas raporteve, kryeministri hungarez ka thënë se Evropa po përgatitet për luftë me Rusinë.
Viktor Orban, i cili ka kultivuar lidhje të ngushta me Vladimir Putin, tha se kishte gjithnjë e më shumë shenja se Evropa po përgatitej për veprime ushtarake çdo javë, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
“Janë tri faza: diskutimi, përgatitja dhe shkatërrimi. Tani po e përfundojmë diskutimin dhe jemi në fazën e përgatitjes. Jemi centimetra larg shkatërrimit”.
Pavarësisht dënimit dhe kundërshtimit të gjerë të BE-së ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Orban është përpjekur të forcojë marrëdhëniet dypalëshe me Moskën.
Ai ka kundërshtuar shumë nisma të BE-së për të mbështetur Ukrainën në rezistencën ndaj forcave të Moskës, ndërsa ka pozuar për një foto me Putinin në tetor.
Orban ishte i vetmi mes liderëve perëndimorë që ka uruar Putinin për rizgjedhjen, pavarësisht se disa ministra të BE-së e quajtën votimin një mashtrim. /Telegrafi/