Shqiptarët e Kosovës, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi nuk e kanë më detyrim provimin e Gjuhës Shqipe për të marrë shtetësinë shqiptare.
Ndryshimet ligjore të botuara në fletoren zyrtare hyjnë në fuqi në fund të muajit qershor.
“Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për shtetasit e huaj në shtetet e të cilave gjuha shqipe është gjuhë zyrtare”, thuhet në këtë vendim.
Lehtësira ka edhe për talentet e reja që duan të marrin shtetësinë shqiptare. Pasaporta do jepet me procedurë të veçantë për të huajt nën 18 vjeç që nuk jetojnë në Shqipëri, por vendi ka interes për ta në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.
Shtetësia mund të fitohet vetëm me pëlqimin e të dy prindërve ose kujdestarit ligjor, si dhe të fëmijës kur është i moshës 14-18 vjeç.
Të dhënat e siguruara tregojnë se në vitin 2023, 347 të huaj kanë fituar shtetësinë shqiptare.
Ndërsa vetëm për muajt e parë janë 159 persona. Kërkesat më të larta për t’u pajisur me pasaportë shqiptare rezulton se vijnë nga shqiptarët e Kosovës si dhe shtetasit turq.